Kina e ekzekuton çiftin e dënuar për hedhjen e dy fëmijëve nga kati i 15-të
Autoritetet në Kinë kanë ekzekutuar një çift për hedhjen e dy fëmijëve nga dritarja e një banese në katin e 15-të. Rasti kishte nxitur reagime të shumta në mbarë vendin.
Burri dhe e dashura e tij isjin shpallur fajtorë për vrasjen e fëmijëve nga martesa e tij e parë përmes inskenimit të rënies aksidentale nga një bllok banesor në metropolin jugperëndimor, Chongqing, me qëllim që të nisnin një familje të re, raporton televizioni CNN.
Babai, Zhang Bo, kishte nisur një aferë me gruan e quajtur Ye Chengchen dhe fillimisht e kishte fshehur faktin se ishte i martuar dhe kishte fëmijë, por e dashura kishte marrë vesh dhe Zhangu u divorcua nga gruaja e tij, sipas Gjykatës Supreme Popullore të Kinës.
E dashura e Zhangut i shihte dy fëmijët e tij si “pengesë” ndaj martesës së re dhe “barrë ndaj jetës së tyre të ardhshme së bashku”, u tha në gjykatë. Ajo vazhdimisht e kishte nxitur Zhangun që t’i vriste fëmijët dhe e kërcënonte me ndarje, nëse nuk do ta bënte këtë.
Pas konspiracionit me të dashurën, në nëntor të vitit 2020, Zhangu i kishte hedhur vajzën e vet 2-vjeçare dhe djalin e vet 1-vjeçar nga banesa në katin e 15-të, kur ata ishin duke luajtur pranë dritares në dhomën e gjumit, duke i vrarë të dy, sipas gjykatës.
Zhangu dhe Ye ishin dënuar me vdekje në dhjetor të vitit 2021.
Gjykata Supreme Popullore tha se krimi i çiftit “e sfidoi seriozisht vijën e fundit ligjore e morale”, duke e quajtur motivin e tyre kriminal “tepër të neveritshëm”, ndërsa mënyrën e vrasjes “veçanërisht mizore”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, “Xinhua”.
Lajmi për ekzekutimin e dy të dënuarve mori miliona lexime në rrjetin social kinez, “Weibo”, ku u bë tema më e diskutuar.
“Ata e merituan ndëshkimin” – thuhet në një koment me 27 mijë pëlqime.
Sipas një studimi të publikuar në vitin 2020, 68 për qind e qytetarëve kinezë e përkrahin dënimin me vdekje.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli