Kina e ekzekuton burrin që kishte therur për vdekje një nxënës japonez
Kina ka ekzekutuar një burrë për therjen fatale të një djali 10-vjeçar japonez shtatorin e kaluar, i tha televizionit BBC ambasada japoneze në Kinë.
Zhong Changchun ishte dënuar me vdekje në janar për sulmin ndaj fëmijës, i cili ishte duke ecur drejt një shkolle japoneze në qytetin juglindor kinez, Shenzhen, raporton televizioni BBC.
Rasti kishte shkaktuar shok në të dyja vendet dhe kishte nxitur tensione diplomatike e akuza se bëhej fjalë për sulm ksenofobik.
“Qeveria e Japonisë e konsideron vrasjen e një fëmije tërësisht të pafajshëm si krim të pafalshëm dhe ne e marrim këtë ekzekutim me seriozitetin më të lartë” – tha ambasada japoneze në një deklaratë.
“Pas këtij incidenti, Qeveria e Japonisë do të vazhdojë që t’i ndërmarrë të gjitha masat e mundshme të sigurisë dhe e nxit fuqishëm palën kineze që ta garantojë sigurinë e shtetasve japonezë në Kinë” – thuhet më tej në deklaratë.
Ambasada japoneze tha se ishte informuar për ekzekutimin e të dënuarit nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës.
Incidenti e shtoi frikën në mesin e japonezëve që jetojnë në Kinë dhe nxiti disa kompani japoneze, përfshirë Toyota-n, që të kërkonin nga stafi i tyre që të ndërmerrnin masa kujdesi. Disa kompani të tjera, si Panasonic, u ofruan punëtorëve fluturime falas për në atdhe.
Komentuesit në internet thanë se vrasja e nxënësit japonez ndodhi në një datë politikisht të ndjeshme – 18 shtator, përvjetori i një incidenti që kishte çuar në pushtimin japonez të Manchuria-s në Kinë në vitet e tridhjeta./Nacionale