Kina do ta ndërtojë në Tibet digën më të madhe të një hidrocentrali në botë
Kina e ka miratuar ndërtimin e asaj që do të jetë diga më e madhe e një hidrocentrali në botë, duke nisur një projekt ambicioz në skajin lindor të Rrafshnaltës së Tibetit, që mund të prekë miliona njerëz në zona më të ulëta në Indi dhe Bangladesh.
Diga, që do të ndërtohet në pjesët më të ulëta të Lumit Yarlung Zangbo, mund të prodhojë 300 miliardë kilovatë-orë energji elektrike në vit, sipas një vlerësimi të ofruar në vitin 2020 nga “Power Construction Corp”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kjo sasi do të ishte më shumë se trefishi i 88,2 miliardë kilovatëve-orë energji në Digën e Tri Grykave, që tani për tani është diga më e madhe në botë dhe ndodhet në pjesën qendrore të Kinës.
Projekti do të luajë rol të madh në arritjen e qëllimeve të Kinës për neutralitetin ndaj karbonit, do të stimulojë industri të ndërlidhura si inxhinieria, dhe do të krijojë vende pune në Tibet, raportoi të mërkurën agjencia zyrtare kineze e lajmeve, “Xinhua”.
Edhe shuma financiare e projektit, përfshirë koston e inxhinieringut, pritet ta tejkalojë atë të Digës së Tri Grykave, e cila ka kushtuar 34,83 miliardë dollarë.
Autoritetet nuk kanë treguar se sa njerëz do të duhet të zhvendosen për shkak të projektit në Tibet dhe si do të ndikojë ai në ekosistemin lokal, njëri nga më të pasurit dhe më të llojllojshmit në rrafshnaltë.
Sipas zyrtarëve kinezë, projektet e energjisë nga uji në Tibet nuk do të kenë ndikim të madh në mjedis ose në furnizimin me ujë në zona më të ulëta. Megjithatë, India dhe Bangladeshi e kanë shprehur shqetësim për këtë projekt.