Kimi i Koresë Veriore e shkarkon komandantin e ushtrisë, kërkon më shumë përgatitje për luftë
Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, e ka shkarkuar komandantin e ushtrisë së vendit të tij dhe ka bërë thirrje për më shumë përgatitje për mundësinë e luftës, shtim të prodhimit të armëve dhe zgjerim të ushtrimeve ushtarake, raportoi të enjten agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.
Kimi i bëri këto komente në një takim të Komisionit Qendror Ushtarak, në të cilin u diskuan plane për kundërmasa për frenimin e armiqve të vendit, të cilët nuk u përmendën me emra, thuhet në raportim.
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Pak Su Il, u shkarkua, raportoi KCNA-ja, pa dhënë hollësi. Ai e ka mbajtur këtë pozitë për rreth shtatë muaj.
Pak Su Il-i u zëvendësua me Gjeneral Ri Yong Gil-in, i cili më parë ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes si dhe komandant i trupave konvencionale.
Ri ishte edhe më parë komandant i ushtrisë. Zëvendësimi i tij më 2016 dhe mungesa në organizime zyrtare kishte nxitur raportime në Kore Jugore se ai ishte ekzekutuar. Megjithatë, gjenerali ishte rishfaqur disa muaj më pas, kur ishte emëruar në një pozitë tjetër të lartë.
Në raportimin e mediave shtetërore thuhet se Kimi ka caktuar edhe një cak për zgjerimin e kapacitetit të prodhimit të armëve, por nuk u dhanë hollësi.
Javën e kaluar, ai vizitoi fabrika të armëve, ku bëri thirrje për prodhim të më shumë motorëve të raketave, artileri dhe armë të tjera.
Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Korenë Veriore për furnizimin e Rusisë me armë për luftën e saj në Ukrainë, përfshirë predhat e artilerisë e raketat. Rusia dhe Koreja Veriore i kanë mohuar këto akuza.