Kimi i Koresë merr pjesë në festën e Vitit të Ri bashkë me të bijën
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe vajza e tij, Ju Ae, morën pjesë në festën e Vitit të Ri, përfshirë hedhjen e fishekzjarrëve dhe vallëzimin mbi akull, raportoi të mërkurën agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.
Zyrtarë të lartë të Koresë së Veriut iu bashkuan Kimit dhe vajzës së tij në përcjelljen e organizimeve, sipas fotografive të publikuara nga mediat shtetërore. Nuk u përmend ndonjë fjalim nga Kimi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Agjencia KCNA tha se një ditë më parë, Kimi ishte zotuar për ta bërë më të vendosur partneritetin strategjik gjithëpërfshirës të vendit të tij me Rusinë në një letër dërguar presidentit rus, Vladimir Putin.

Raportohet se Koreja e Veriut ka dërguar 10 mijë ushtarë ose më shumë në Rusi për të luftuar kundër forcave ukrainase.
Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Koreja e Jugut kanë raportuar për humbje të trupave të Koresë së Veriut gjatë ballafaqimit të tyre me ushtarët ukrainas.