Kimi e merr për herë të parë vajzën e tij për ta shikuar testimin e raketës balistike - NACIONALE

Kimi e merr për herë të parë vajzën e tij për ta shikuar testimin e raketës balistike

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, e ka prezantuar para botës për herë të parë të shtunën vajzën e tij. Baba e bijë shihen dorë për dore para testimit të raketës më të madhe balistike të këtij shteti të premten.

Koreja Veriore hodhi një raketë balistike ndërkontinentale të tipit “Hwasong-17” të premten, raportoi të shtunën agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.

Befasia e këtij testimi ishte prania e vajzës së udhëheqësit të famshëm, ekzistenca e së cilës nuk ishte konfirmuar asnjëherë më parë, raporton agjencia “Reuters”.

Paraqitja e saj e papritur e shtron mundësinë që udhëheqja e shtetit totalitar mund të kalojë në duart e gjeneratës së katërt të familjes së Kimit dhe lë të kuptohet se armët bërthamore do të jenë pjesë e kësaj trashëgimie, thonë analistët.

Agjencia koreane nuk e publikoi emrin e vajzës, e cila shihet në fotografi me një xhaketë të bardhë duke ia mbajtur dorën babait përderisa të dy e shikonin raketën masive.

“Ky është rasti i parë që e kemi parë vajzën e Kim Jong Un-it në një ngjarje publike. “Kjo është shumë e rëndësishme dhe përfaqëson një shkallë të caktuar të rehatisë në anën e Kim Jong Un-it që ai ta nxirrte atë në publik në këtë mënyrë”- tha Michael Madden, ekspert i udhëheqësisë së Koresë Veriore në Qendrën “Stimson” me seli në Shtetet e Bashkuara.

Jenny Town nga organizata kërkimore për Korenë Veriore me seli në Uashington, “38 North”, tha se marrja e vajzës në testimin e një rakete balistike ndërkontinentale dhe publikimi i fotografive të tyre duke e shikuar hedhjen e raketës lë të kuptohet se Kimi nuk do t’i përkulet presionit për ngadalësimin e programeve të armëve ose për kthimin në bisedime.

“Kjo e ka peshën e dorëzimit të një trashëgimie. Këto pamje e japin ndjenjën se këto janë pjesë edhe e trashëgimisë së saj, gjithashtu, tani”- tha ai.

Besohet se Kimi ka tre fëmijë - dy vajza e një djalë, – thonë ekspertët. Disa vëzhgues besojnë se njëri nga këta fëmijë është parë në fotografitë e festimit të një feste kombëtare në shtator.

Në vitin 2013, ylli i pensionuar amerikan i basketbollit, Dennis Rodman, kishte thënë se Kimi kishte një foshnjë vajzë me emrin Ju Ae. Pas një udhëtimi për në Korenë Veriore atë vit, Rodman-i i kishte thënë gazetës “The Guardian” se kishte kaluar kohë me Kimin dhe me familjen e tij dhe se e kishte mbajtur në duar atë foshnjë.

Ju Ae vlerësohet se është në moshën 12 ose 13-vjeçare, që do të thotë se pas katër ose pesë vjetëve, ajo do të përgatitet për të shkuar në universitet ose në shërbim ushtarak, tha eksperti Madden.

Lajme të ngjashme