Kievi goditet nga raketat ruse në ditën e fundit të vitit, të paktën një i vdekur
Rusia e kreu sulmin e dytë të madh me raketa në Ukrainë në tri ditët e fundit të shtunën, thanë zyrtarët ukrainas. Raportohet për shpërthime në pjesë të ndryshme të vendit në ditën e fundit të vitit 2022.
Kryetari i Kievit, Vitali Kliçko, tha se të paktën një person është vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur pas një vargu shpërthimesh në kryeqytet. Korrespondendentët e agjencisë “Reuters” raportuan se kanë dëgjuar dhjetë shpërthime të fuqishme në qytet.
Kryetari tha se njëri nga të lënduarit nga shpërthimet është një gazetar japonez, i cili është dërguar në spital.
Një hotel në jug të qendrës së kryeqytetit u godit dhe një ndërtesë banimi në një distrikt tjetër u dëmtua, sipas administratës së qytetit.
Guvernatori i rajonit të Kievit, Oleksiy Kuleba, kishte paralajmëruar paraprakisht për një sulm të mundshëm me raketa dhe tha se sistemi i mbrojtjes ajrore në rajon është duke i vënë në shënjestër caqet.
“Shteti terrorist lëshoi disa valë raketash. Po na e urojnë Vitin e Ri, por ne do të ngulim këmbë”- shkroi në rrjete sociale Kuleba pas shpërthimeve në Kiev.
