Kievi denoncon planin "ilegal" të Putinit për lëshimin e pasaportave ruse në Ukrainë
Kievi ka akuzuar Kremlinin për sjellje kriminale, duke thënë se Rusia po shkel ligjin ndërkombëtar pas planit për ta lehtësuar marrjen e nënshtetësisë ruse për ukrainasit që jetojnë në rajonet e kontrolluara nga Rusia.
“Lëshimi i paligjshëm i pasaportave… është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, tha ministria e Jashtme e Ukrainës në një deklaratë të mërkurën, shkruan The Guardian.
Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi një dekret që thjeshton procedurën për të marrë një pasaportë ruse për banorët e rajoneve jugore të Ukrainës, Zaporizhzhia dhe Kherson.
Ndërsa, ministria e Jashtme e Ukrainës tha se nisma ishte një dëshmi e mëtejshme e qëllimeve të luftës "kriminale" të Moskës, përkatësisht integrimit të rajoneve të mbajtura nga ushtria e Moskës "në fushën ligjore, politike dhe ekonomike të Rusisë".
Urdhri zyrtar i publikuar të mërkurën erdhi pas një dekreti të vitit 2019 që lejonte të njëjtën procedurë të shpejtë për banorët e republikave të vetëshpallura në Donetsk dhe Luhansk, rajonet e shkëputura të Ukrainës lindore.
Aplikantëve për pasaportë, nuk u kërkohet të kenë jetuar në Rusi, nuk kanë nevojë të ofrojnë dëshmi të fondeve të mjaftueshme ose të kalojnë ndonjë test të gjuhës ruse.
Rajoni Kherson është nën kontrollin e plotë të trupave ruse, ndërsa rajoni juglindor i Zaporizhzhia kontrollohet pjesërisht nga Moska.
Moska dhe zyrtarët pro-rusë kanë thënë se të dyja këto rajone mund të bëhen pjesë e Rusisë.
"Sistemi i thjeshtuar do të na lejojë të gjithë ne të shohim qartë se Rusia është këtu jo vetëm për një kohë të gjatë, por përgjithmonë," i tha agjencisë ruse të lajmeve RIA Novosti nënkryetari i rajonit të pushtuar Kherson, i emëruar nga Moska, Kirill Stremousov.
“Ne i jemi shumë mirënjohës presidentit rus Vladimir Putin për gjithçka që po bën për ne, për mbrojtjen e popullit rus në tokat historike ruse që tani janë çliruar,” shtoi ai.
Ai shtoi se, autoritetet e reja duan të ndihmojnë ata që dëshirojnë "të bashkohen me familjen e madhe të Rusisë".
Sipas Stremousov, aplikimet do të përpunoheshin brenda tre muajve dhe rajoni Kherson tashmë kishte filluar punën për hapjen e qendrave për lëshimin e pasaportave ruse.
Ndërkohë, në rajonet Donetsk dhe Luhansk në Ukrainës, tashmë qindra mijëra banorë janë pajisur me pasaporta ruse.
Kujtojmë se ditën e hënë, autoritetet në Kherson prezantuan rublën si monedhën zyrtare së bashku me hryvnia ukrainase. Ndërsa, të mërkurën, zyrtarët e instaluar nga Moska njoftuan të njëjtën vendim edhe në disa pjesë të rajonit të Zaporizhzhia.