Këshilltari i Zelenskyt thotë se sulmi në Kursk do ta detyrojë Rusinë që të bisedojë - NACIONALE

Këshilltari i Zelenskyt thotë se sulmi në Kursk do ta detyrojë Rusinë që të bisedojë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mykhailo Podolyak, ndihmës i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se njëri nga objektivat e sulmit të Ukrainës në Rusi është që Moska të detyrohet të zhvillojë bisedime sipas kushteve të Kievit.

“Ukraina nuk është e interesuar që të pushtojë territore ruse, por nëse po flasim për bisedime të mundshme – theksoj, të mundshme – ne do të duhet që ta vënë [Rusinë] në anën tjetër të tavolinës. Sipas kushteve tona” – tha Podolyak, raporton televizioni BBC.

Sipas tij, të tregohet që Ukraina është e aftë për të pushtuar territor rus do të ishte “mjet i dëshmuar, efikas i shtrëngimit” për ta detyruar Rusinë që të hyjë në bisedime.

“Në rajonin Kursk, ne qartazi mund të shohim se si vegla ushtarake po përdoret objektivisht për ta bindur [Rusinë] që të hyjë në një proces të drejtë të bisedimeve” – tha më tej ndihmësi i presidentit ukrainas.

Ai shtoi se sulmi i papritur matanë kufirit gjithashtu do të ketë ndikim tek opinioni publik, sepse “rusët qartazi ishin të frikësuar. Ata janë të tmerruar” nga aftësia e forcave të Ukrainës për të hyrë në territorin rus.

“Ndryshimet negative në gjendjen psikologjike të popullsisë ruse do të jenë një argument tjetër për fillimin e bisedimeve” – vlerësoi këshilltari presidencial ukrainas.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë së Madhe, mbrojtja kufitare ruse “nuk ishte e përgatitur” për sulmin ukrainas me disa batalione.

Reagimi fillestar i Rusisë ishte “rrëmujë dhe çorganizim”, sipas vlerësimit të kësaj ministrie, e cila shtoi se forcat ruse, megjithatë, janë ridislokuar nga zona të tjera përgjatë kufirit dhe tani po ndërtojnë “pozicione mbrojtëse shtesë në përpjekje për t’i parandaluar përparimet ukrainase”.

Lajme të ngjashme