Këshilli i Sigurimit ua heq sanksionet presidentit Sharaa të Sirisë dhe ministrit të tij
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ua ka hequr sanksionet presidentit të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, dhe ministrit të Brendshëm, Anas Khattab, pak ditë pasi presidenti sirian pritet të takohet me homologun amerikan në Shtëpinë e Bardhë.
Nga 15 shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit, 14 votuan “për” dhe asnjë “kundër”. Vetëm Kina abstenoi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje që Këshilli i Sigurimit t’ia lehtësojë sanksionet Sirisë.
Pas 13 vjetësh në luftë civile, ish-presidenti sirian, Bashar al-Assad, u rrëzua nga pushteti në dhjetor përmes një ofensive të shpejtë nga forcat kryengritëse të udhëhequra nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
I njohur më parë si Fronti Nusra, HTS-ja ishte krah zyrtar i grupit al Qaeda në Siri deri në prishjen e marrëdhënieve me të në vitin 2016.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në maj njoftoi një ndryshim të madh të politikës amerikane, kur tha se do t’ia hiqte sanksionet Sirisë.
Gazeta “Nacionale” raportoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar një draft-rezolutë me të cilën do t’u hiqeshin sanksionet presidentit sirian dhe ministrit të tij.