Kërkesa e miliarderëve e milionerëve në Davos: Vendosni taksa ndaj pasurisë sonë - NACIONALE

Kërkesa e miliarderëve e milionerëve në Davos: Vendosni taksa ndaj pasurisë sonë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 250 miliarderë e milionerë kanë kërkuar që elita politike, që është mbledhur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, t’i vendosë taksa pasurisë së tyre për të siguruar fonde për shërbime më të mira publike në mbarë globin.

“Kërkesa jonë është e thjeshtë: ne kërkojmë nga ju që të na vendosni taksa neve, më të pasurit e shoqërisë”- thuhet në një letër të hapur të të pasurve për udhëheqësit botërorë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Kjo nuk do ta ndryshojë në mënyrë themelore standardin tonë të jetesës, as nuk do t’i privojë fëmijët tanë, as nuk do ta dëmtojë rritjen ekonomike të vendeve tona, por do ta shndërrojë pasurinë private të skajshme e joproduktive në një investim për të ardhmen tonë të përbashkët demokratike”- thuhet më tej në letrën e tyre.

Në mesin e personave të pasur që e kanë nënshkruar këtë letër është edhe pronarja e kompanisë “Disney”, Abigail Disney, Brian Cox, Simon Pegg e Valerie Rockefeller.

Sipas një ankete të re me njerëzit shumë të pasur, 74 për qind e tyre i përkrahin taksat më të larta ndaj pasurisë për ta ndihmuar adresimin e krizës së kostos së jetesës dhe për t’i përmirësuar shërbimet publike.

Në bazë të këtij sondazhi, 58 për qind e pjesëmarrësve e përkrahin vendosjen e një takse prej 2 për qind ndaj pasurisë së personave që kanë mbi 10 milionë dollarë, ndërsa 54 për qind e tyre mendojnë se pasuria e tepërt është kërcënim ndaj demokracisë.

Sipas Kongresit të Sindikatës së Tregtisë, një taks pasurie “modeste” prej 1,7 për qind ndaj 140 mijë njerëzve më të pasur në Britani të Madhe do të mund të siguronte mbi 10 miliardë funte për ta ndihmuar financimin e shërbimeve publike.

250 familjet më të pasura në Mbretëri të Bashkuar kanë pasuri të përgjithshme prej 748 miliardë funtesh, sipas listës më të re të gazetës “Sunday Times”, dukshëm më shumë se vlera prej 704 miliardë funtesh në vitin paraprak. Në mesin e familjeve më të pasura është edhe ajo e kryeministrit britanik, Rishi Sunak, e bashkëshortes së tij, Akshata Murty, me 529 milionë funte pasuri.

Lajme të ngjashme