Kërcënohen me bomba të nominuarit e Trumpit - NACIONALE

Kërcënohen me bomba të nominuarit e Trumpit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Disa prej të nominuarve të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, janë vënë në shënjestër të kërcënimeve me bomba.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) tha se ishte e vetëdijshme për “shumë kërcënime me bomba” si dhe për “incidente me alarme të rreme”, me të cilat nxitet reagimi i policisë në shtëpi të atyre që janë vënë në shënjestër, raporton televizioni BBC.

Kërcënime janë bërë kundër të paktën nëntë personave të zgjedhur nga Trumpi për t’i udhëhequr Departamentet e Mbrojtjes, Strehimit, Bujqësisë dhe Punës, si dhe kundër të nominuarës së tij për ambasadore të ShBA-së në Kombet e Bashkuara, mes të tjerëve.

Policia është duke i hetuar incidentet, të cilat ndodhën të martën në mbrëmje dhe të mërkurën.

Karoline Leavitt, zëdhënëse e ekipit të tranzicionit të Trumpit, tha se të nominuarit e tij “u shënjestruan në kërcënime të dhunshme, joamerikane ndaj jetës së tyre dhe ndaj atyre që jetojnë me ta”.

Ajoi shtoi se “autoritetet e sundimit të ligjit vepruan shpejt për ta garantuar” sigurinë e të nominuarve.

As zëdhënësja Leavitt, as FBI-ja nuk identifikuan me emër ndonjërin prej atyre që ishin në shënjestër të kërcënimeve.

Republikanja nga Nju-Jorku, Elise Stefanik, të cilën Trumpi e ka nominuar për ambasadore të ShBA-së në Kombet e Bashkuara, ishte e para që tha se shtëpia e familjes së saj ishte vënë në shënjestër të një kërcënimi me bombë.

I nominuari për sekretar të Mbrojtjes, Pete Hegseth, më vonë konfirmoi se edhe ai ishte cak i një kërcënimi./Nacionale

Lajme të ngjashme