Kërcënimi i Trumpit me taksa ndaj Spanjës, reagojnë Madridi e BE-ja
Komisioni Evropian dhe Qeveria e Spanjës të mërkurën e shpërfillën kërcënimin më të ri të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i vendosur taksa më të larta Madridit për shkak të refuzimit për rritjen e shpenzimeve në mbrojtjes sipas pragut të ri të NATO-s.
Trumpi ka thënë se është “shumë i pakënaqur” me Spanjën që është shteti i vetëm që e ka refuzuar objektivin e ri të shpenzimeve të mbrojtjes – 5 për qind e prodhimit vendës bruto (GDP), duke shtuar se po e shqyrtonte mundësinë që ta ndëshkonte shtetin e Evropës Jugore. Në të kaluarën, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka sugjeruar që Spanja të detyrohet “të paguajë dyfish” në bisedimet tregtare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Politikat e tregtisë bien në kompetencat e Brukselit dhe Komisioni Evropian tha se “do të përgjigjej në mënyrë të përshtatshme, siç bëjmë gjithmonë, ndaj cilësdo trysni që ndërmerret kundër njërit ose më shumë vendeve anëtare”, tha zëdhënësi i këtij institucioni, Olof Gill.
Ai shtoi se marrëveshja tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, e nënshkruar në korrikun e këtij viti, është platforma e duhur për të adresuar cilëndo çështje.
Ministria e Ekonomisë dhe e Tregtisë e Spanjës në një deklaratë tha: “Debati për shpenzimet në mbrojtje nuk ka të bëjë me rritjen e shpenzimeve për hir të rritjes së tyre, por me kundërpërgjigjen ndaj rreziqeve të vërteta. Ne jemi duke e bërë pjesën tonë për t’i zhvilluar kapacitetet e nevojshme dhe për të kontribuuar në mbrojtjen kolektive të aleatëve tanë.”
Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, tha se aleatët nuk do ta diskutonin cakun për shpenzime prej 5 për qind në fushën e mbrojtjes për vitin 2035 në takimin e së mërkurës, sepse do ta bënin prioritet situatën e tanishme në Ukrainë, por nuk përjashtoi tërësisht një ndryshim në pozicionin e Spanjës.
Taksat e shënjestruara të Shteteve të Bashkuara kundër shteteve të caktuara të BE-së janë të rralla, por ka precedentë të tillë, thotë Ignacio Garcia Bercero nga instituti ekonomik “Bruegel” me seli në Bruksel.
Në vitin 1999, Shtetet e Bashkuara e kishin goditur Bashkimin Evropian me 100 për qind taksë ndaj disa produkteve si çokollata, mishi i derrit, qepët dhe tartufi si hakmarrje për ndalimin e importimit në BE të mishit të gjedheve të trajtuar me hormone, por Britania e Madhe ishte kursyer, edhe pse atë kohë ishte ende anëtare e BE-së./Nacionale