Kenia thotë se do të bisedojë me Rusinë kundër përdorimit të shtetasve të saj në luftë - NACIONALE

Kenia thotë se do të bisedojë me Rusinë kundër përdorimit të shtetasve të saj në luftë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Kenia thotë se do të bisedojë me Rusinë rreth shtimit të raportimeve se qytetarët e shtetit afrikan po rekrutohen për të luftuar në luftën e Ukrainës.

Duke folur me televizionin BBC, ministri i Jashtëm, Musalia Mudavadi, e quajti “të papranueshme e klandestine” këtë praktikë dhe shtoi se Nairobi i kishte ndaluar rekrutuesit e paligjshëm dhe do t’i bëjë thirrje Moskës që të nënshkruajë një marrëveshje për ndalimin e rekrutimit të ushtarëve kenianë.

Qeveria e Kenias vlerëson se rreth 200 shtetas të saj janë rekrutuar për të luftuar për Rusinë. Numri i saktë i të rekrutuarve mbetet i paqartë, ndërsa Kenia pretendon se asnjëri prej tyre nuk ka udhëtuar përmes kanaleve zyrtare.

“Kenia dhe Rusia kanë pasur marrëdhënie të gjata që nga pavarësia, në kuptimin e fjalëpërfjalshëm. Prandaj, sipas pikëpamjes sime, ky bëhet një episod shumë fatkeq i marrëdhënieve që ndryshe janë shumë pozitive e të përzemërta mes dy vendeve tona” – tha kryediplomati kenian.

Sipas Mudavadit, angazhimi i Kenias me Rusinë do të përqendrohet në luftimin e praktikave të rekrutimit ilegal, përfshirë diskutimet për politikën e vizave dhe marrëveshjet dypalëshe për punën që e përjashtojnë rekrutimin ushtarak.

Ai tha se autoritetet keniane kishin mbyllur më shumë se 600 agjenci rekrutimi që dyshoheshin se po i mashtronin banorët me premtime për vende pune jashtë shtetit.

Ministri tha se, deri më tani, 27 kenianë që ishin duke luftuar në Rusi janë riatdhesuar, ndërsa autoritetet po ofrojnë kujdes psikologjik për ta adresuar traumën e tyre dhe për t’i “deradikalizuar” ata./Nacionale

Lajme të ngjashme