‘Kemi ditur gjithçka’: Zhvillimet kryesore sot pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit
Izraeli ka ndërmarrë disa sulme ajrore kundër Iranit, derisa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmi "ka goditur në zemër të programit të pasurimit bërthamor të Iranit" dhe se do të "vazhdojë për aq ditë sa të jetë e nevojshme".
Kreu i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, është vrarë. Ai është mes disa udhëheqësve të lartë që kanë humbur jetën gjatë këtij sulmi.
Ndërkohë, të premten kanë vazhduar reagimet në lidhje me këto zhvillime të rëndësishme.
Më poshtë, gjeni një përmbledhje të zhvillimeve kryesore sot, pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit të përkthyer nga “The Guardian”:
- Ka pasur raportime për sulme të reja ndaj Iranit, me dëshmitarë që thanë se dëgjuan shpërthime në provincën e Teheranit. Agjencia shtetërore iraniane IRNA raportoi për shpërthime në qytetet Shahriar dhe Malard, si dhe në lagjen Chitgar të Teheranit. Ndërkohë, agjencia Mehr tha se një shpërthim ndodhi edhe në Pakdasht, në juglindje të kryeqytetit.
- Në Izrael, sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në Jerusalem, ndërsa aeroporti Ben Gurion në Tel Aviv mbetet i mbyllur. Ushtria izraelite tha se po përpiqet të ndërpresë një raketë të lëshuar nga Jemeni drejt Izraelit.
- Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi për agjencinë Reuters se SHBA kishte informacion paraprak për sulmet izraelite në Iran, duke thënë “kemi ditur gjithçka”. Ai shtoi se nuk është i shqetësuar për një luftë rajonale dhe se nuk është e qartë nëse Irani ende ka një program bërthamor pas sulmeve.
- Ndërkohë, komandanti i ri i Gardës Revolucionare Iraniane, Mohammad Pakpour, ka kërcënuar me “hapjen e portave të ferrit” ndaj Izraelit, duke u zotuar për hakmarrje për vrasjen e paraardhësit të tij, Hossein Salami.
- Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) do të mbajë javën tjetër një mbledhje të jashtëzakonshme të bordit të saj, me kërkesë të Iranit, pas sulmeve izraelite. Kreu i IAEA tha se nivelet e rrezatimit përreth objektit bërthamor në Natanz kanë mbetur të pandryshuara.