Katzi paralajmëron se mund të rrezikohet armëpushimi i Izraelit me Hezbollahun - NACIONALE

Katzi paralajmëron se mund të rrezikohet armëpushimi i Izraelit me Hezbollahun

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, paralajmëroi të dielën se vendi i tij “do të detyrohet që të veprojë”, nëse Hezbollahu nuk tërhiqet nga pjesa jugore e Libanit, siç parashihet në marrëveshjen e armëpushimit.

“Izraeli është i interesuar për zbatimin e marrëveshjes në Liban dhe do të vazhdojë që ta zbatojë atë plotësisht dhe pa kompromis për ta garantuar kthimin e sigurt të banorëve të veriut në shtëpitë e tyre” – tha Katzi gjatë një vizite në një bazë të ushtrisë izraelite në pjesën veriore të Izraelit, ku ushtria ka renditur disa armë të kapura të Hezbollahut, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar nga Izraeli dhe Hezbollahu më 27 nëntor, ushtrisë izraelite i kërkohet që t’ia dorëzojë të gjitha pozicionet në jug të Libanit ushtrisë libaneze brenda 60 ditëve. Në të njëjtën kohë, Hezbollahut i kërkohet që të tërhiqet në veri të Lumit Litani, rreth 30 kilometra nga kufiri me Izraelin.

Një zyrtar izraelit i tha të dielën gazetës “The Times of Israel” se Izraeli rishtazi ishte duke dhënë shenjë se do të mund të mbetej në Liban pas armëpushimit fillestar dymujor për t’u bërë presion forcave të armatosura libaneze që t’i përmbushin detyrimet e tyre para se të marrë fund kjo periudhë.

Forcat izraelite deri më tani janë tërhequr nga dy qyteza në jug të Libanit – Khiam dhe Shamaa – por sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, ato mbeten të stacionuara në rreth 60 vendbanime të tjera dhe se rreth 160 mijë libanezë mbeten të zhvendosur.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka vazhduar që të kryejë sulme kundër operativëve dhe infrastrukturës së Hezbollahut në jug të Libanit. Ajo ka mohuar se i ka shkelur kushtet e armëpushimit, duke thënë se në shënjestër të sulmeve kanë qenë vetë shkeljet e Hezbollahut.

“Por kushti i parë për zbatimin e marrëveshjes është tërheqja e plotë e organizatës së terrorit Hezbollah përtej Lumit Litani, çmontimi i të gjitha armëve dhe [heqja e] infrastrukturës së terrorit në zonë nga ushtria libaneze, diçka që nuk ka ndodhur ende” – paralajmëroi ministri Katz, i cili më parë e ka mbajtur edhe pozitën e kryediplomatit të Izraelit.

“Nëse ky kusht nuk plotësohet, nuk do të ketë marrëveshje dhe Izraeli do të detyrohet që të veprojë në mënyrë të pavarur për ta garantuar kthimin e sigurt të banorëve të veriut në shtëpitë e tyre” – shtoi ai.

Në një fjalim të shtunën, kreu i ri i Hezbollahut, Naim Qassem, kërcënoi se “durimi mund të harxhohet” me sjelljen e Izraelit edhe para përfundimit të periudhës 60-ditore që parashihet në marrëveshjen e nëntorit për armëpushim.

Lajme të ngjashme