Katzi kërcënon me marrje territoresh në Liban, nëse vazhdojnë sulmet nga Hezbollahu - NACIONALE

Katzi kërcënon me marrje territoresh në Liban, nëse vazhdojnë sulmet nga Hezbollahu

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha të enjten se e ka paralajmëruar Libanin se nëse nuk i ndal sulmet e vazhdueshme të Hezbollahut me raketa e dronë, Izraeli “do të marrë territor dhe do ta bëjë atë vetë”.

Ndërkohë, Izraeli i zgjeroi paralajmërimet për evakuim në jug të Libanit, duke u thënë më shumë komuniteteve më larg kufirit që të largoheshin, në të kundërtën rrezikojnë që të vihen në shënjestër, përderisa ushtria izraelite po i përshkallëzon operacionet kundër Hezbollahut, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Hezbollahu hodhi breshëri të rënda drejt Shtetit të Izraelit dje. Ushtria izraelite u kundërpërgjigj me forcë në Dahiyeh dhe kundër caqeve të Hezbollahut në mbarë Libanin” – tha Katzi gjatë një vlerësimi me oficerë të lartë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, duke iu referuar periferisë jugore të Bejrutit, e cilësuar si bastion i Hezbollahut.

“Unë e paralajmërova presidentin e Libanit se nëse qeveria libaneze nuk di se si ta kontrollojë territorin dhe t’ia parandalojë Hezbollahut rrezikimin e komuniteteve veriore dhe shkrepjen në drejtim të Izraelit, ne do ta marrim territorin dhe do ta bëjmë këtë vetë” – shtoi ministri izraelit.

Katzi tha gjithashtu se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu e kanë “udhëzuar ushtrinë izraelite që të përgatitet për një zgjerim të aktivitetit të ushtrisë në Liban për t’i rikthyer qetësinë dhe sigurinë në komunitetet veriore [në Izrael”.

Të mërkurën, Hezbollahu hodhi rreth 200 raketa e rreth 20 dronë drejt Izraelit për një periudhë prej disa orësh, duke e bërë këtë ndër sulmet më të rënda që nga fillimi i tyre drejt Izraelit në mbështetje të Iranit, në kohën e luftës amerikano-izraelite kundër regjimit në Teheran.

Shumica dërrmuese e raketave janë penguar ose kanë rënë në zona të hapura. Megjithatë, janë shënuar dëme në dy zona banimi dhe dy persona janë lënduar lehtë. Pothuajse të gjithë dronët janë penguar, përpos njërit që ra afër një komuniteti kufitar pa shpërthyer, sipas ushtrisë izraelite./Nacionale

Lajme të ngjashme