Katër ushtarë çekë do të gjykohen për vdekjen e një ushtari afgan më 2018
Katër ushtarë çekë do të gjykohen nën akuza për krime të dyshuara në lidhje me vdekjen e një ushtari afgan, pasi ai ishte arrestuar dhe ishte marrë në pyetje në vitin 2018, thanë të martën prokurorët çekë.
Zyra e prokurorit shtetëror tha në një deklaratë se katër anëtarë të grupit 601 të operacioneve speciale do të gjykohen për disa akuza, përfshirë zhvatjen, mosnënshtrimin, shkeljen e detyrimeve në detyrën e rojës dhe dështimin për të ofruar ndihmë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyra e prokurorit shtetëror nuk i identifikoi katër ushtarët që do të gjykohen. Nëse shpallen fajtorë, ata mund të dënohen me burgim të përjetshëm.
Ministria e Mbrojtjes e Çekisë refuzoi që të komentonte rreth rastit. Një avokat që përfaqëson tre prej të akuzuarve nuk ishte menjëherë i qasshëm për koment.
Radioja publike çeke raportoi në uebfaqen e saj se akuzat lidhen me vdekjen e ushtarit 19-vjeçar afgan, Wahidullah Khan, pasi ai ishte ndaluar nga forcat afgane për një sulm ndaj trupave në bazën “Shindand” në pjesën perëndimore të Afganistanit më 2018. Në atë rast, një ushtar çek ishte vrarë dhe dy të tjerë ishin lënduar.
Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, kishte raportuar për incidentin më 2018. Ajo shkruante se ushtari Khan ishte rrahur, pasi ishte dërguar në ndalim nga trupat amerikane e çeke. Më tej, raportohet se ushtari ishte pa vetëdije, kur u ishte kthyer trupave afgane në po të njëjtën ditë, dhe kishte vdekur pak më vonë. Në raportin e gazetës amerikane thuhet se trupat amerikane dhe çeke po hetoheshin për incidentin.
Ushtria çeke ka operuar në Afganistan nga viti 2002 deri më 2021. Trupat e këtij shteti ishin të dislokuara si pjesë e Forcës Ndërkombëtare për Asistencë të Sigurisë (ISAF), e cila kishte mandat nga OKB-ja dhe ishte ndërtuar për t’i asistuar Qeverisë së Afganistanit në fushën e sigurisë dhe për trajnimin e forcave afgane./Nacionale