Katër të vrarë pas përleshjeve rreth një xhamie të lashtë në Indi
Autoritetet mbyllën shkolla e pezulluan shërbime të internetit në një qytet verior indian të hënën, thanë zyrtarët, një ditë pasi katër njerëz u vranë gjatë përleshjeve të nxitura nga një shqyrtim zyrtar ku po hulumtohet nëse një xhami e shekullit XVI ishte ndërtuar mbi një tempull hindus.
Gati një mijë protestues myslimanë u grumbulluan të dielën afër xhamisë “Shahi Jama Masjid” në Sambhal, në shtetin verior të Utar Pradeshit për të parandaluar një ekip që të kryente një shqyrtim me urdhër gjykate pas një peticioni nga një avokat hindus që pretendoi se xhamia ishte ndërtuar në vendin e një tempulli hindus, thanë zyrtarët, raporton agjencia e lajmeve "Associated Press".
“Të gjitha shkollat dhe kolegjet janë mbyllur dhe tubimet publike janë ndaluar” në Sambhal, tha administratori lokal, Aunjaneya Kumar Singh. Autoritetet gjithashtu ua ndaluan hyrjen në qytet pa leje zyrtare deri më 30 nëntor personave të jashtëm, organizatave sociale dhe përfaqësuesve publikë, tha Singhu.
Ajo që nisi si zënkë eskaloi në përleshje, kur protestuesit hodhën gurë drejt policëve, të cilët u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës, tha policia.
“Disa keqbërës në turmë e zgjodhën dhunën, duke na detyruar që të përdornim forcë të vogël dhe gaz lotjsellës për ta rivendosur rendin” – tha Krishna Kumar Vishnoi, oficer lokal i policisë.
Në video të publikuara në rrjete sociale u shfaqën skena të hedhjes së gurëve dhe disa automjete të përfshirë nga flaka, përderisa policia përdori armë zjarri.
Pavarësisht nga trazirat, shqyrtimi zyrtar u zhvillua sipas planit.
Përderisa autoritetet po përgatiten për pasoja të mundshme, incidenti i ka rindezur tensionet rreth mosmarrëveshjeve fetare në Indi, ku ankesat historike shpesh nxisin konflikte bashkëkohore.
Grupet e aktivistëve hindusë, kryesisht të lidhura me partinë në pushtet të kryeministrit Narendra Modi, kanë pretenduar se disa xhami në Indi janë ndërtuar mbi tempuj hindusë disa shekuj më parë, gjatë Perandorisë myslimane Mughal./Nacionale