Katër të vrarë nga një sulm raketor rus në Dnipro të Ukrainës - NACIONALE

Katër të vrarë nga një sulm raketor rus në Dnipro të Ukrainës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Një sulm raketor rus ndaj qytetit lindor ukrainas, Dnipro, ka lënë të vdekur katër njerëz dhe 40 të tjerë kanë pësuar lëndime, sipas autoriteteve në Ukrainë.

Në raportime të pakonfirmuara thuhet se në këtë sulm është përdorur një raketë balistike. Sulmi ndodhi të hënën në mëngjes, raporton televizioni BBC.

Në pamje të publikuara në internet shihet një shpërthim i madh duke ndodhur afër një autostrade. Mediat lokale thanë se një bllok zyrash, disa vetura e dyqane u goditën ose u dëmtuan rëndë.

Dniproja, qytet që shtrihet rreth 100 kilometra larg vijës së frontit, është sulmuar shpesh nga forcat ruse që nga fillimi i luftës në shkurtin e vitit 2022.

Sulmi ndodhi një ditë para se emisari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, të takohet në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, për diskutime që e kanë për qëllim përfundimin e luftës. Amerikani e ka vizituar Putinin disa herë këtë vit, por asnjëherë nuk ka shkuar në Kiev.

Të dielën, një delegacion ukrainas u takua në Florida të Shteteve të Bashkuara me Witkoffin, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, si dhe me dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Zelensky tha të hënën se bisedimet ishin “shumë konstruktive”, por se janë disa “çështje të vështira” në të cilat duhet të punohet, duke u ngjarë komenteve të Rubios, i cili tha se takimi ka qenë “produktiv”, por ka “më shumë punë për t’u bërë”./Nacionale

Lajme të ngjashme