Katër të vrarë e disa të plagosur nga sulmet ruse me dronë e raketa në Kiev
Rusia kreu një sulm masiv me dronë e raketa ndaj Kievit të martën herët, duke vrarë katër njerëz e duke plagosur dhjetëra të tjerë gjatë sulmeve ndaj objekteve të energjisë, ndërtesave të banimit dhe infrastrukturës, thanë zyrtarët ukrainas.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se forcat ruse përdorën 430 dronë e 18 raketa, duke e bërë këtë njërin nga sulmet më të mëdha ndaj kryeqytetit ukrainas deri më tani. Sipas presidentit, Kievi po kundërpërgjigjej me raketa me rreze të gjatë, duke u bërë thirrje aleatëve për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Forca ajrore ukrainase tha se shumica e dronëve dhe raketave u rrëzuan, por zyrtarët thanë se mbetjet që ranë dhe zjarret që u shkaktuan dëmtuan ndërtesa shumëkatëshe të banimit, një shkollë, një objekt mjekësor dhe ndërtesa administrative në nëntë distrikte në qytetin me rreth 3 milionë banorë.
Anastalia, 29 vjeçe, e përshkroi momentin kur blloku i saj banesor u godit: “Në atë moment, nuk dini se çfarë të bëni së pari: ta shpëtoni veten, fëmijën, apo të vraponi për t’i ndihmuar njerëzit, sepse shumë njerëz po bërtisnin dhe kishin nevojë për ndihmë.”
Zelensky tha se Ambasada e Azerbajxhanit në Kiev u godit nga mbetjet e një rakete ruse të tipit “Iskander”.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se të paktën 29 persona u lënduan në mbarë qytetin, përfshirë dy fëmijë, dhe se një grua shtatzënë ishte në mesin e nëntë njerëzve që po trajtoheshin në spital.
Guvernatori i Rajonit të Kievit jashtë kryeqytetit tha se nga sulmet me dronë e raketa u lënduan gjashtë njerëz, përfshirë një fëmijë 7-vjeçar, si dhe u shkaktuan disa zjarre./Nacionale