Katër të vdekur e tetë të zhdukur nga rrëshqitja e dheut pas shiut të dendur në Kinë - NACIONALE

Katër të vdekur e tetë të zhdukur nga rrëshqitja e dheut pas shiut të dendur në Kinë

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Reshjet e dendura të shiut u intensifikuan përreth Pekinit dhe provincave afër tij të hënën. Katër njerëz vdiqën nga rrëshqitja e dheut në Hebei dhe tetë njerëz janë zhdukur, ndërsa autoritetet paralajmëruan për rrezik të shtuar për fatkeqësi ditëve në vijim.

Autoritetet rilokalizuan më shumë se 4.400 njerëz, derisa shiu i dendur vazhdoi në zonën gjysmë-urbane Miyun në Pekin, duke shkaktuar vërshime e rrëshqitje dheu, duke prekur shumë fshatra, raportoi televizioni shtetëror, CCTV.

Në fotografi që po qarkullojnë në aplikacionin “Wechat” shihen zona në Miyun ku vetura e kamionë ishin duke lundruar në një rrugë të vërshuar, ku niveli i ujit ishte rritur aq shumë, saqë kishte vërshuar një pjesë të një ndërtese banimi.

Në zonë gjithashtu kishte ndërprerje të furnizimit me rrymë dhe kjo po prekte më shumë se 10 mijë njerëz, raportoi televizioni CCTV, transmeton agjencia “Reuters”.

Pjesa veriore e Kinës është ballafaquar me reshje rekorde viteve të fundit, duke i ekspozuar ndaj rrezikut të vërshimeve qytetet me popullsi të dendur, përfshirë Pekinin. Disa shkencëtarë e lidhin shtimin e reshjeve në pjesën zakonisht të thatë të veriut të Kinës me ngrohjen globale.

Vëzhguesi Meteorologjik Qendror i Kinës tha se shiu i dendur do të vazhdojë në pjesën veriore të vendit edhe gjatë tri ditëve në vijim. Pekini e lëshoi të hënën paralajmërimin e nivelit më të lartë për vërshime, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, “Xinhua”.

Autoritetet janë duke kryer punë të kërkim-shpëtimit në disa qytete, përfshirë Datong-un./Nacionale

Lajme të ngjashme