Katër anëtarë të një familjeje vdesin nga shembja e shtëpisë në Itali - NACIONALE

Katër anëtarë të një familjeje vdesin nga shembja e shtëpisë në Itali

1 vit më parë

nga NACIONALE

Katër anëtarë të së njëjtës familje, përfshirë dy fëmijë të vegjël, kanë vdekur nga shpërthimi i gazit në jug të Italisë.

Shtëpia e tyre dykatëshe në qytezës Saviano, afër Napolit, u shemb pjesërisht nga shpërthimi, duke lënë të vdekur vëlla e motër, nënën dhe gjyshen e tyre, raporton televizioni BBC.

Babai dhe një foshnjë e porsalindur u shpëtuan të gjallë nga rrënojat, sipas njoftimit të zjarrfikësve italianë.

Ai mbetet në spital në Napoli në gjendje serioze, ndërsa lëndimet e foshnjës nuk ia rrezikojnë jetën, raportuan mediat lokale.

Shërbimi italian kundër zjarrit raportoi se prindërit dhe tre fëmijët jetonin në një kat të shtëpisë, ndërsa një grua tjetër, që thuhet se ishte gjyshja, jetonte në katin sipër tyre.

“Zjarrfikësit i nxorën të gjallë babanë dhe një të porsalindur, duke ua dorëzuar për kujdes punëtorëve shëndetësorë në vendin e ngjarjes, ndërsa ata nuk mund të bënin asgjë për dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, trupat e të cilëve fatkeqësisht u nxorën të pajetë” – thuhet në një deklaratë të zjarrfikësve.

Edhe pse autoritetet nuk e kanë konfirmuar moshën e fëmijëve, mediat lokale raportuan se ata ishin 4 dhe 6 vjeç.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 07:00 sipas kohës lokale, thanë zjarrfikësit. Zjarrfikësit i gjetën fëmijët dhe babanë në mëngjes, pastaj e kaluan ditën duke kërkuar nën rrënoja, duke mos arritur që ta gjenin nënën deri në orën 16 e 45 minuta.

Zëdhënësi i zjarrfikësve, Luca Cari, iu tha gazetarëve se shpëtuesit duhej të ishin “shumë të kujdesshëm dhe të lëviznin ngadalë për të shmangur shembje të reja” gjatë kërkimit, raportoi agjencia “Associated Press”.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, duke punuar me qen nuhatës, e vazhduan kërkimin e gjyshes natën, duke e njoftuar se e kishin gjetur atë dhe e kishin përfunduar operacionin në orën 1 pas mesnatës.

Hetimi është duke vazhduar për ta gjetur shkaktarin e saktë të shembjes së shtëpisë, por teoritë e hershme sugjerojnë se shtëpia u shemb pas një shpërthimi të gazit.

Lajme të ngjashme