Katari: Hamasi ka dhënë një “konfirmim pozitiv fillestar” për propozimin për armëpushim
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, ka thënë se Hamasi e ka dhënë “konfirmimin pozitiv fillestar” për një propozim për ndërprerjen e luftimeve në Gaza dhe lirimin e pengjeve.
Ndërmjetësuesit nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari u takuan me zyrtarë të inteligjencës izraelite në Paris të dielën, ku propozuan një pauzë 6-javore në luftën e Gazas dhe një këmbim të pengjeve të Hamasit me të burgosur palestinezë që të shqyrtohej nga palët, raporton agjencia franceze e lajmeve, AFP, përcjell gazeta “The Guardian”.
“Ai propozim është miratuar nga pala izraelite dhe tani kemi një konfirmim pozitiv fillestar nga ana e Hamasit” – tha Al-Ansari në një shkollë me bazë në Uashington.
Megjithatë, një burim i afërt me Hamasin tha se ende nuk kishte konsensus për propozimin e paraqitur nga ndërmjetësuesit.
“Nuk ka marrëveshje për kornizën e marrëveshjes ende… dhe deklarata e Katarit është e nxituar dhe jo e vërtetë” – i tha ky burim agjencisë AFP në Gaza.
Për më tepër, edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit tha se “ende është një rrugë shumë e vështirë para nesh”.
“Ne jemi optimistë, sepse të dyja palët tash janë pajtuar për premisën që do të çonte te një pauzë e radhës” – tha Al-Ansari.
“Ne kemi shpresë që në disa javë të ardhshme, do të mund të ndajmë lajme të mira për këtë” – shtoi ai.
Udhëheqësi i Hamasit që banon në Katar, Ismail Haniyeh, pritej që të zhvillonte bisedime në Kajro të enjten dhe të premten rreth propozimit për armëpushim.
Në të kaluarën, Katari kishte ndërmjetësuar për një pauzë njëjavore në luftime, që kishte nisur në fund të nëntorit dhe kishte sjellë lirim të shumë pengjeve izraelite e të huaja si dhe hyrje të ndihmave në enklavën e rrethuar palestineze.