Kapet në Oqeanin Atlantik nëndetësja me 1,7 ton kokainë - NACIONALE

Kapet në Oqeanin Atlantik nëndetësja me 1,7 ton kokainë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Katër persona janë arrestuar, pasi autoritetet portugeze penguan një nëndetëse me të cilën po transportoheshin më shumë se 1.700 kilogramë kokainë në pjesën qendrore të Oqeanit Atlantik.

Nëndetësja gjysmë e zhytshme ishte nisur për në Gadishullin Iberik dhe u sekuestrua ditëve të fundit, sipas zyrtarëve portugezë, raporton televizioni BBC.

Në pamje shihen policia dhe forcat detare duke e rrethuar nëndetësen para se të hipnin mbi të e të konfiskonin drogë të klasës së parë dhe t’i arrestonin katër anëtarët e ekuipazhit, për të cilët thuhet se janë nga Amerika e Jugut.

Të dyshuarit, përfshirë dy ekuadorianë, një venezuelas dhe një kolumbian, u dërguan në paraburgim pas paraqitjes në gjykatë në Azores të martën, tha policia.

Vitor Ananias, komandant i njësitit policor për luftimin e trafikimit të drogës, tha në një konferencë për gazetarë se nacionaliteti i ndryshëm i të arrestuarve tregon se organizata që qëndron prapa tyre nuk ka prani vetëm në një shtet.

Ananaias tha më tej se incidentet si ky kanë qenë “situatë e rishfaqur viteve të fundit”.

Në mars të këtij viti, një nëndetëse e ngjashme me 6,5 tonë kokainë u konfiskua rreth 1.200 milje detare larg Lisbonës.

Konfiskimi i nëndetëses me 1,7 ton kokainë u bë në kohën kur forcat amerikane po i shtojnë sulmet ndaj barkave për të cilat thonë se po përdoren për të trafikuar drogë në ShBA./Nacionale

Lajme të ngjashme