Kaos në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani McCarthy e voton veten, por s’zgjidhet kryetar
Në një ditë me dramë politike që nuk është parë qe një shekull në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, disa herë dështoi në përpjekjen për t’u zgjedhur kryetar i këtij institucioni.
Dhoma e Përfaqësuesve I ndërpreu punimet pa e zgjedhur kryetarin të martën në mbrëmje. Kjo qe hera e parë që nga viti 1923 që ky organ dështoi për ta zgjedhur kryetarin e vet në rundin e parë të votimit, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.
Fillimi i punës së përbërjes së re të Kongresit duhej të ishte hap fitoreje për Partinë Republikane, pasi kjo parti e ka marrë kontrollin në dhomën e ulët pas zgjedhjeve të nëntorit. Sidoqoftë, McCarthy u ballafaqua me një rebelim brenda partisë së tij dhe hyri në histori për të keq.
Kongresisti nga Kalifornia ka humbur në tri votime për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve deri më tani dhe nuk është e qartë se si mund të duket rruga e tij drejt fitores, kur kongresistët të mblidhen përsëri të mërkurën për ta zgjedhur kryetarin. Ata do të votojnë derisa një kandidat ta marrë përkrahjen e shumicës.
Edhe nëse McCarthy e gjen rrugën për t’u zgjedhur kryetar, analistët paralajmërojnë se përçarja e së martës është shenjë se dy vitet e ardhshme do të jenë me trazira në këtë institucion për shkak të luftës së brendshme mes republikanëve të moderuar dhe atyre të së djathtës.