Kandidatja për kryeministre të Kanadasë paralajmëron listë të hakmarrjes kundër ShBA-së
Chrystia Freeland, ish-ministre e Financave e Kanadasë, e cila po garon për ta zëvendësuar Justin Trudeau-n në postin e kryeministrit, tha të hënën se vendi i saj duhet të publikojë një “listë të hakmarrjes” për mallrat që Otava do t’i shënjestronte, nëse presidenti amerikan, Donald Trump, do ta zbatonte kërcënimin e tij për 25 për qind taksë ndaj mallrave kanadeze.
Në një deklaratë, zonja Freeland tha se një listë produktesh me vlerë të 139 miliardë dollarëve amerikanë do të dërgonte një porosi te eksportuesit e ShBA-së për dëmin që taksat do t’ua shkaktonin atyre, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
“Të jesh i zgjuar do të thotë të hakmerresh aty ku dhemb. Kundërgrushti ynë duhet të jetë dollar për dollar dhe duhet të jetë me shënjestër në mënyrë të saktë e të dhimbshme: kultivuesit e portokajve në Florida, fermerët e bylmetit në Wisconsin, prodhuesit e enëlarësve në Michigan, e shumë më shumë” – deklaroi kanadezja.
“Tani është momenti kur Kanadaja duhet t’ua bëjë të qartë amerikanëve kostot specifike që do të shoqërojnë çfarëdo mase taksash nga adminsitrata Trump” – shtoi ish-ministrja.
Trumpi ka thënë se do ta shfrytëzojë detyrimin ekonomik për t’i bërë trysni Kanadasë që të bëhet shteti i 51-të i ShBA-së. Ai gjithashtu është ankuar për deficitin tregtar të Shteteve të Bashkuara me fqinjin verior.
Sidoqoftë, Kanadaja është destinacioni kryesor i eksportit për 36 shtete të ShBA-së. Gati 2,7 miliardë dollarë amerikanë mallra dhe shërbime e kalojnë kufirin për çdo ditë.