Kancelari austriak: Putini më tha se do të bashkëpunonte me drejtësinë ndërkombëtare - NACIONALE

Kancelari austriak: Putini më tha se do të bashkëpunonte me drejtësinë ndërkombëtare

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kancelari austriak Karl Nehammer tha në një intervistë për NBC se "Vladimir Putin po beson se ai po e fiton luftën".

Intervista e plotë do të transmetohet nesër në SHBA. Nehammer u takua me presidentin rus në fillim të kësaj jave dhe kështu u bë lideri i parë perëndimor që e bën këtë që nga fillimi i pushtimit në shkurt.

"Ai jeton në botën e tij, fajëson ukrainasit për gjenocid"

Ai thotë se i tha Putinit në Moskë se "po e humbiste moralisht luftën" dhe se "të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e luftës duhet të sillen para drejtësisë".

Në disa pjesë të shkëputura nga intervista e Nehammer me NBC, kancelari austriak tha se besonte se Putini jetonte në botën e tij. "Unë mendoj se ai tani është në logjikën e tij të luftës. Ai mendon se lufta është e nevojshme për garancitë e sigurisë së Federatës Ruse. Ai nuk i beson komunitetit ndërkombëtar. Ai fajëson ukrainasit për gjenocidin në Donbas. Por unë mendoj se ai beson se po e fiton luftën", tha Nehammer.

Ai më tha se do të bashkëpunonte me drejtësinë ndërkombëtare”

Nehammer u pyet nga moderatori për reagimin e Putinit ndaj akuzave për krime lufte.

“Më tha se do të bashkëpunonte me drejtësinë ndërkombëtare nga njëra anë dhe nga ana tjetër më tha se nuk i besonte botës perëndimore. Kështu që do të jetë problem në të ardhmen. Mendoj se besimi ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, një hetim ndërkombëtar, është i nevojshëm. Pra, ishte një diskutim i vështirë me njëri-tjetrin.

Por unë u përpoqa ta bind atë se, për shembull, lufta në ish-Jugosllavi na tregoi se një hetim ndërkombëtar është i dobishëm për ndjekjen penale të kriminelëve të luftës”, tha kancelari austriak për NBC. /Nacionale/

Lajme të ngjashme