Kanadaja i ndryshon udhëzimet: Sa më pak alkool, aq më mirë - e rrit rrezikun për kancer
Sipas udhëzimeve të reja të autoriteteve shëndetësore në Kanada, heqja dorë plotësisht nga alkooli është qasja e vetme pa rreziqe dhe se më së shumti nga dy pije në javë cilësohen si sasi me rrezik të ulët.
Këshillat e reja përbëjnë zvogëlim të konsiderueshëm të sasisë së pijeve alkoolike në krahasim me rekomandimet e mëparshme, të publikuara në vitin 2011.
Sipas udhëzimeve të vjetra, lejohej konsumimi I më së shumti 10 pijeve alkoolike në javë për gratë dhe 15 për burrat, raporton televizioni BBC.
Në raportin e ri, të financuar nga “Health Canada”, gjithashtu këshillohet vendosja e detyrueshme e mbishkrimeve paralajmëruese në të gjitha shishet e pijeve alkoolike.
“Mesazhi kryesor nga ky udhëzim i ri është që çfarëdo sasie e alkoolit nuk është e mirë për shëndetin tuaj”- tha Dr. Erin Hobin, shkencëtare e shëndetit publik në Ontario dhe anëtare e panelit të ekspertëve që e publikuan udhëzimin e ri. “E nëse pini, më pak është më mirë”- shtoi ajo.
Raporti me gati 90 faqe, i publikuar nga Qendra Kanadeze për Përdorimin dhe Varësinë nga Substancat, jep hollësi për një varg rreziqesh shëndetësore që lidhen me atë që më parë është cilësuar konsumim i vogël i alkoolit.
Sipas kësaj qendre, gjithçka më shumë se dy pije standarde – secila me rreth 340 mililitra birrë me alkool 5 për qind ose 142 mililitra verë me 12 për qind alkool – sjell rritje të rezultateve negative, përfshirë kancerin e gjirit dhe atë të zorrës së trashë.