Kanadaja do të porosisë aeroplanë ushtarakë suedezë, i shpërfill amerikanët
Kanadaja ka njoftuar plane për të blerë një flotë të aeroplanëve për paralajmërim të hershëm nga prodhuesi suedez “Saab”, duke e shpërfillur opsionin konkurrues nga prodhuesi “Boeing”.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, tha të mërkurën se vendi i tij do t’i zgjedhë aeroplanët “Global Eye” të prodhimit suedez. Në garë ishin edhe aeroplanët E-7 të prodhuesit “Boeing”, raporton gazeta “The Guardian”.
“Me një sërë sensorësh të avancuar dhe sisteme misionesh, aeroplani “GlobalEye” i “Saab”-it do të jetë burim kyç për forcat e armatosura kanadeze që të zbulojnë dhe frenojnë kërcënime në mbarë Arktikun” – tha Carney në një konferencë të mbrojtjes në Otavë.
Në marsin e këtij viti, kryeministri ishte zotuar se Kanadaja do ta merrte përgjegjësinë e plotë për mbrojtjen e territorit të saj të madh në Arktik, pasi për disa dekada ishte mbështetur në partneritetin me Shtetet e Bashkuara për vëzhgimin e mbi 4,4 milionë kilometrave katrorë territor tokësor e ujor, sipërfaqe më e madhe se ajo e Indisë.
Në një deklaratë, kompania “Saab” tha se planifikon që të investojë në punë hulumtuese dhe zhvillimore në Kanada si pjesë e ndonjë marrëveshjeje.
Edhe pse Carney nuk dha hollësi për madhësinë e flotës ose koston e kontratës së mundshme, zyrtarë ushtarakë kanë thënë më parë se po e synonin blerjen e gjashtë aeroplanëve për paralajmërim të hershëm.