Kallas thotë se çfarëdo pakti mes ShBA-së e Rusisë duhet t’i përfshijë edhe Ukrainën e BE-në - NACIONALE

Kallas thotë se çfarëdo pakti mes ShBA-së e Rusisë duhet t’i përfshijë edhe Ukrainën e BE-në

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha të dielën se çfarëdo marrëveshjeje mes Uashingtonit e Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet t’i përfshijë BE-në dhe Ukrainën.

Zyrtarja e lartë njoftoi se do të thërrasë një takim të ministrave të jashtëm evropianë për të hënën për t’i diskutuar hapat e ardhshëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“ShBA-ja e ka fuqinë për ta detyruar Rusinë që të negociojë seriozisht. Çfarëdo marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë duhet t’i ketë të përfshira Ukrainën dhe BE-në, sepse kjo është çështje e sigurisë së Ukrainës dhe tërë Evropës” – tha kryediplomatja evropiane.

Presidenti amerikan, Donald Trump, planifikon të takohet të premten në Alaskë me homologun rus, Vladimir Putin.

Zonja Kallas tha se “përderisa ne punojmë drejt një paqe të qëndrueshme e të drejtë, e drejta ndërkombëtare është e qartë: të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht i përkasin Ukrainës”.

“Një marrëveshje nuk duhet të ofrojë një trampolinë për agresion të mëtejmë rus kundër Ukrainës, aleancës transatlantike dhe Evropës” – shtoi ajo.

Kallas tha e kryediplomatët evropianë do të diskutojnë edhe për situatën në Gaza.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të shtunën se çfarëdo vendimi pa Ukrainën do të ishte vendim kundër paqes. “Ata nuk do të arrijnë asgjë. Këto janë vendime të vdekura. Ato janë vendime të papërdorshme dhe neve të gjithëve na duhet paqja e vërtetë dhe e sinqertë” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme