Kallas jep dorëheqje nga posti i kryeministres për t’u bërë kryediplomate e BE-së - NACIONALE

Kallas jep dorëheqje nga posti i kryeministres për t’u bërë kryediplomate e BE-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministrja estoneze, Kaja Kallas, e dorëzoi dorëheqjen e saj të hënën për ta marrë detyrën e re të kryediplomates së Bashkimit Evropian, tha Zyra e Presidentit.

Zonja 47-vjeçare ka qenë kritikuese e ashpër e Rusisë fqinje dhe e atyre që ajo thotë se janë qëllime ekspansioniste të Moskës që nga marrja e detyrës së kryeministres në fillim të vitit 2021. Ajo i ka shtyrë aleatët e Estonisë në NATO dhe në BE që t’i ofrojnë përkrahje të pakushtëzuar Ukrainës në përpjekjen e saj për t’i zmbrapsur forcat pushtuese ruse, raporton agjencia “Reuters”.

Nën udhëheqjen e saj, Estonia, vend i vogël me 1,4 milion njerëz, është bërë njëra nga dhurueset më të mëdha të ndihmës ushtarake për Ukrainën për kokë banori.

Kallas e ka udhëhequr partinë e saj drejt fitoreve në zgjedhje parlamentare më 2019 e 2023 dhe e ka udhëhequr Qeverinë nga viti 2021.

Partia “Reforma” e zonjës Kallas e ka përzgjedhur ministrin e Klimës, Kristen Michal, për t’u bërë kryeministër i ri i vendit, pas bisedimeve për përbërjen e kabinetit me partnerët e koalicionit.

Kallas do të mbetet kryeministre në detyrë derisa të konfirmohet Qeveria e re në fillim të gushtit, raportoi transmetuesi publik estonez, ERR.

Partia e saj do ta zgjedhë kryetarin e ri më 8 shtator.

Lajme të ngjashme