Jordania shprehet e gatshme për ta mbështetur rindërtimin e Sirisë - NACIONALE

Jordania shprehet e gatshme për ta mbështetur rindërtimin e Sirisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Jordania qëndron e gatshme për ta ndihmuar Sirinë që të rindërtohet, tha të hënën kryediplomati jordanez pas takimit me de fakto udhëheqësin e ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, të hënën në Damask.

Ky ishte kontakti i nivelit më të lartë nga një shtet arab me administratën e re të Sirisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Mohammed Al-Khulaifi, arriti në Damask përmes fluturimit të parë të kompanisë “Qatar Airways” në kryeqytetin sirian që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit.

Këto takime i zgjerojnë më tej kontaktet diplomatike të administratës së re siriane që u themelua pas ofensivës së suksesshme të rebelëve të udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS), me të cilën u rrëzua Assadi pas më shumë se 13 vjetëve luftë civile.

Sharaa, i njohur edhe me nofkën e luftës, Abu Mohammed al-Golani, kishte veshur kostum e kravatë gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Ayman al-Safadi, sipas fotografive të publikuara në rrjete sociale nga Ministria e Jashtme e Jordanisë.

“Bisedimet tona ishin të qarta se ne në Mbretëri [të Jordanisë] jemi të gatshëm për të ofruar mbështetje” – tha Safadi pas takimit, duke shtuar se administrate e re siriane duhet ta ketë mundësinë për t’i zhvilluar planet e veta. “U përqendrova te përpjekjet për rindërtim dhe Jordania do të ofrojë ndihma” – shtoi ministri jordanez.

Stabiliteti i Sirisë është shqetësim kyç i sigurisë për Jordaninë, shtet arab aleat i Shteteve të Bashkuara, që kufizohet me Sirinë në veri.

Lajme të ngjashme