Jordania e ndalon Vëllazërinë Myslimane
Qeveria e Jordanisë e ka ndaluar Vëllazërinë Myslimane një javë pasi tha se disa anëtarë të këtij grupi islamik ishin arrestuar nën dyshimin për planifikim të sulmeve me raketa e dronë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Mazen al-Faraya, tha në një konferencë për gazetarë se të gjitha zyrat e Vëllazërisë Myslimane do të mbyllen dhe asetet e grupit do të konfiskohen, si dhe çfarëdo aktiviteti i organizatës do të cilësohet si i paligjshëm, raporton televizioni BBC.
Nuk pati kundërpërgjigje të menjëhershme nga Vëllazëria Myslimane, e cila ka mohuar çfarëdo lidhjeje me dyshimet për komplote sulmesh.
Nuk është e qartë se si do të ndikojë vendimi për ndalim në krahun politik të organizatës, Fronti Islam për Veprim, i cili është grupi më i madh opozitar në Kuvendin e Jordanisë. Megjithatë, zyrat qendrore të Frontit u bastisën nga policia pas njoftimit të ministrit Faraya.
Sekretari i përgjithshëm i Frontit Islam për Veprim, Wael Saqqa, këmbënguli se ky grup është parti e pavarur politike, duke shpjeguar se grupi “nuk ka marrëdhënie me asnjë organ tjetër”.
“Ne gjithmonë deklarojmë se jemi të përkushtuar ndaj rendit, ligjit dhe dispozitave të kushtetutës” – tha ai.
Në vitin 2020, gjykata më e lartë e Jordanisë kishte vendosur që Vëllazëria Myslimane të “shpërbëhej”, sepse nuk e kishte zgjidhur statusin e saj ligjor.
Megjithatë, grupi i vazhdoi aktivitetet politike dhe të tjera, ndërsa Fronti Islam për Veprim mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, duke siguruar 31 nga 138 ulëset e mundshme në Kuvend, transmeton gazeta "Nacionale".
Javën e kaluar, Departamenti i Përgjithshëm i Inteligjencës i Jordanisë tha se kishte arrestuar 16 persona të dyshuar për planifikim të sulmeve me qëllim të “shënjestrimit të sigurisë kombëtare, mbjelljes së kaosit dhe sabotazhit”.
Në këto plane përfshiheshin posedimi i lëndëve shpërthyese e armëve automatike, prodhimi i raketave, fshehja e një rakete të gatshme për t’u hedhur, një projekt për prodhimin e dronëve dhe trajnimi i individëve brenda e jashtë vendit, sipas Departamentit të Përgjithshëm të Inteligjencës.
Ministri Faraya pretendoi në konferencën për shtyp të mërkurën se anëtarë të Vëllazërisë Myslimane “operojnë nën hije dhe angazhohen në aktivitete që do të mund t’i minonin stabilitetin e sigurinë”.
Ai tha, gjithashtu, se disa anëtarë të organizatës ishin munduar që të largonin e të shkatërronin dokumente nga zyrat qendrore “në përpjekje për t’i fshehur aktivitetet dhe lidhjet e tyre të dyshimta”.
Sidoqoftë, Vëllazëria Myslimane ka mohuar se është e përfshirë ose që ka njohuri për komplotin e dyshimtë për sulme dhe ka theksuar se është “e përkushtuar ndaj qasjes së saj paqësore”.
Kjo organizatë është themeluar në Egjipt para rreth një shekulli dhe ka degë lokale në mbarë botën. Njëri nga qëllimet e saj është themelimi i një shteti të qeverisur me ligjin islam të njohur si sheriati.
Vëllazëria Myslimane është e ndaluar me ligj në Egjipt dhe në disa shtete arabe, qeveritë e të cilave shohin atë si kërcënim./Nacionale