Johnson thotë se shumë ligjvënës amerikanë duan siguri të shtuar pas vrasjes së Kirkut
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Mike Johnson, i ka thënë televizionit CNN se ka pasur “rrebesh” të ligjvënësve që po bëjnë thirrje për siguri të shtuar pas vrasjes së aktivistit amerikan, Charlie Kirk.
“Mendoj se shumë prej tyre janë nervozë, natyrisht” – tha Johnson, duke iu referuar kolegëve të tij në Konges. “Ata janë figura publike. Janë të shpërfaqur tërë kohën, kudo. Ne kemi masa të mrekullueshme të sigurisë për anëtarët e Kongresit, por është një dëshirë nga ana e shumë njerëzve që të ketë më shumë [masa]” – shtoi ai.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve tha se është duke e shqyrtuar këtë kërkesë. “Duhet të marrim masa serioze për kohëra serioze” – tha ai, raporton televizioni CNN.
Johnson gjithashtu u dha jehonë komenteve të disa prej kolegëve të tij, duke e theksuar ndikimin e fjalëve dhe të mirësjelljes.
“Në fund të ditës, mendoj se thirrja që ne duhet ta njohim edhe një herë është që ne të gjithë jemi bashkëqytetarë amerikanë. Jemi. Duhet ta shohim njëri-tjetrin si kolegë dhe bashkëqytetarë e bashkëvendës, e jo si armiq. Kjo nuk është ajo që e përfaqësonte Charlie Kirku. Ai me të vërtetë e donte debatin, sepse me të vërtetë i donte njerëzit” – tha Johnson.
Më vonë, ai shtoi: “Ne duhet të mendojmë me kujdes për gjuhën tonë dhe për atë që jemi duke e thënë dhe si e trajtojmë njëri-tjetrin” – tha Johsnoni.
Charlie Kirk u qëllua me armë të mërkurën gjatë një tubimi. Policia amerikane ende është duke e kërkuar të dyshuarin, pasi dy njerëz të arrestuar më herët janë liruar, pasi nuk kishin lidhje me incidentin, thanë autoritetet amerikane.