Jinpingu pret liderë arabë, kërkon konferencë të paqes e drejtësi për luftën e Gazës
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i qortoi “vuajtjet e pamasë” në Lindje të Mesme dhe bëri thirrje për një konferencë ndërkombëtare të paqes, përderisa udhëheqës arabë po e vizitojnë Pekinin këtë javë në kohën e shtimit të shqetësimit global për luftën e Izraelit në Gaza.
“Nga tetori i kaluar, konflikti palestinezo-izraelit ka eskaluar në mënyrë dramatike, duke i hedhur njerëzit në vuajtje të pamasa. Lufta nuk duhet të vazhdojë pafundësisht. Drejtësia nuk duhet të mungojë përgjithmonë” – tha presidenti kinez të enjten në hapjen e takimit mes krydiplomatëve të Kinës dhe shteteve arabe, ku gjithashtu po marrin pjesë disa udhëheqës nga rajoni, raporton televizioni CNN.
Ai gjithashtu i përsëriti thirrjen e Kinës për formimin e një shteti të pavarur palestinez si dhe përkrahjen e Pekinit për një “konferencë ndërkombëtare të paqes me bazë më të gjerë, më autoritative dhe më efikase”.
Takimet diplomatike në Pekin po mbahen në kohën kur lufta e Izraelit në Gaza mbetet në fokusin urgjent global, përderisa forcat izraelite po i shpeshtojnë operacionet në qytetin jugor të enklavës, Rafah, dhe kriza humanitare po përkeqësohet përditë.
Kina, që ka synuar t’i thellojë marrëdhëniet me vendet e Lindjes së Mesme viteve të fundit, e ka pozicionuar veten në vijë me botën arabe dhe me Jugun Global rreth konfliktit në Gaza, duke e kritikuar Izraelin e duke bërë thirrje për armëpushim.
Gjatë komenteve të tij, Jinpingu çmoi “një dëshirë të përbashkët për një epokë të re në marrëdhëniet kinezo-arabe” dhe tha se raportet e tyre mund të jenë “model për mbajtjen e paqes dhe stabilitetit botëror”.