Jetimëve në Kongo po u jepen krimba të bardhë për ta luftuar kequshqyerjen - NACIONALE

Jetimëve në Kongo po u jepen krimba të bardhë për ta luftuar kequshqyerjen

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një jetimore në kryeqytetin e Republikës Demokratike të Kongos, Kinshasa, më shumë se 60 fëmijë po i shikonin pjatat e tyre me krimba të bardhë të fërguar me mëlmesa dhe po shkëmbenin buzëqeshje nevrike, para se ta fusnin lugën me kureshtje mes krimbave.

Jetimët po ushqehen me larva të pasura me proteina, të njohura në gjuhën lokale si “mpose”, si pjesë e një nisme nga organizata jofitimprurëse me seli në Kinshasa, “Fermat për Jetimët”, e cila po synon që ta adresojë kequshqyerjen në shtetin e Afrikës Perëndimore, raporton agjencia “Reuters”.

Rreth një e katërta e popullsisë 99-milionëshe të Kongos ballafaqohet me krizë ushqimore dhe gjysma e jetimëve po vuajnë nga kequshqyerja, sipas Programit Botëror të Ushqimit.

Insektet e ngrënshme, përfshirë larvat, po studiohen gjithnjë më shumë për potencialin e tyre si formë e qëndrueshme alternative e proteinave në vend të mishit, qoftë për konsum nga njerëzit, si në Kongo, ose për t’i ushqyer kafshët, si në Benin. Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë, pjesë e OKB-së, insektet mund të jenë burim i pasur i yndyrave, proteinave, vitaminave, fibrave e mineraleve.

“Është e vërtetuar shkencërisht se mishi nuk ka përqendrim më të lartë të proteinave se insektet dhe nuk është lehtë të sigurohet mishi, prandaj ne deshëm që ta bënim më të thjeshtë” – tha Francoise Lukadi, inxhiniere bujqësore që e udhëheq organizatën “Fermat për Jetimët”.

Ajo tha se mungesa e lëndëve ushqyese është veçanërisht akute te fëmijët nën moshën 5-vjeçare.

Larvat zakonisht përgatiten me qepë, speca e domate dhe kanë shije të ngjashme me djathin.

“Është e rëndësishme që fëmijët të hanë mpose për shkak të proteinave, sepse disa fëmijë braktisen në gjendje të kequshqyerjes” – tha Nelly Mimpi, nutricioniste dhe mbikëqyrëse e shëndetit ushqimor në jetimore.

Organizata “Fermat për Jetimët” ka marrë fonde nga Fondacioni “Bill dhe Melinda Gates” për hulumtimin fillestar dhe nisjen e punës, por Lukadi tani shpreson që të kultivohen larva të mjaftueshme për t’i shitur në treg në mënyrë që t’i subvencionojë donacionet për jetimore.

Kjo organizatë tash për tash furnizon katër restorante në Kinshasa, ku larvat e bardha po bëhen gjithnjë më të popullarizuara. Ekipi rrit deri në 300 kilogramë larva në muaj dhe u ofron shujta disa qindra fëmijëve, por ajo dëshiron që ta shtojë kultivimin për ta përmbushur kërkesën komerciale në rritje./Nacionale

Lajme të ngjashme