Jep dorëheqje zyrtarja e Departamentit të Shtetit, shkak armatosja e Izraelit - NACIONALE

Jep dorëheqje zyrtarja e Departamentit të Shtetit, shkak armatosja e Izraelit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Annelle Sheline, zyrtare për të drejtat e njeriut në Departamentin e Shtetit të ShBA-së, ka dhënë dorëheqje për shkak të politikës amerikane ndaj luftës në Gaza, duke e akuzuar administratën e presidentit Joe Biden për shpërfillje të ligjeve të vendit përmes vazhdimit të armatosjes së Izraelit dhe për mbulim të dëshmive që ShBA-ja i ka parë rreth abuzimit të të drejtave të njeriut nga Izraeli.

Zonja Sheline tha se kishte shpresuar se do të kishte ndikim në politika përmes qëndrimit në pozitën e saj në sektorin për Lindje të Afërt në byronë e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe punës, duke marrë pjesë në diskutime, duke nënshkruar dokumente për shprehje të pakënaqësisë dhe duke e shprehur shqetësimin e saj para mbikëqyrësit, por e humbi besimin se mund të bënte ndonjë gjë që do të mund ta prekte rrjedhjen e armëve amerikane në Izrael, raporton gazeta “The Guardian”.

“Arsyeja themelore ishte – unë nuk doja më që të ndërlidhem me këtë administratë. Kam një vajzë të vogël. Ende nuk ka mbushur dy vjet, por nëse një ditë në të ardhmen do të marrë vesh për këtë dhe e di që unë isha në Departamentin e Shtetit dhe do të më pyeste, unë dua që të jem në gjendje t’i them asaj se e bëra atë që munda” – tha Sheline.

Ajo është vetëm zyrtarja e dytë e Departamentit të Shtetit që jep dorëheqje për shkak të politikës së ShBA-së rreth luftës në Gaza (një zyrtar tjetër ka dhënë dorëheqje nga departamenti për arsim për të njëjtën arsye), por tha se shumë prej kolegëve të saj i kishin thënë se do të jepnin dorëheqje, nëse do të mund ta përballonin financiarisht humbjen e vendit të punës dhe se e kishin nxitur atë që të fliste haptas për arsyet e dorëheqjes e të mos largohej në mënyrë të heshtur.

Zonja 38-vjeçare, e cila gjatë doktoratës e ka studiuar politikën e jashtme të qeverive arabe, tha se Departamenti i Shtetit është i vetëdijshëm për një bollëk dëshmish që Izraeli është duke e shkelur të drejtën ndërkombëtare përmes sjelljeve të veta në luftën e Gazës dhe se administrata e Bidenit është duke i shkelur ligjet amerikane përmes vazhdimit të ofrimit të armëve për këtë shtet.

Ajo i theksoi në veçanti ato që njihen si ligjet e Leahy-t, me të cilat ndalohet asistenca për njësi të huaja ushtarake të përfshira në mizori, si dhe seksionin 620, pika 1, të Aktit për Asistencë të Jashtme, në të cilin thuhet se asnjë asistencë nuk duhet t’i jepet asnjë qeverie që “e ndalon ose e kufizon, drejtpërdrejt ose tërthorazi, transportimin ose dorëzimin e asistencës humanitare të Shteteve të Bashkuara”.

Të hënën, Departamenti i Shtetit tha se kishte marrë garanci nga zyrtarë izraelitë dhe se “nuk ka zbuluar se ata janë në shkelje të së drejtës humanitare ndërkombëtare". Megjithatë, zonja Sheline tha: “Ligji është i qartë këtu dhe ne kemi dëshmi, por specifikat thjesht nuk po ndiqen.”

Departamenti i Shtetit ka thënë se është duke i analizuar dëshmitë e lëndimit të civilëve sipas një mekanizmi të themeluar nga administrata e Bidenit vitin e kaluar, disa javë para se të shpërthente lufta në Gaza, por Sheline tha se rezultatet e atyre hetimeve do të publikoheshin vetëm kur do të dëshironte Shtëpia e Bardhë.

Lajme të ngjashme