Jep dorëheqje zëvendëskryeministri i Britanisë së Madhe, Dominic Raab
Zëvendëskryeministri i Britanisë së Madhe, Dominic Raab, dha dorëheqje nga qeveria të premten pas një hetimi të pavarur për ankesat se ai i ka bullizuar kolegët. Ky është skandali më i ri që detyroi një ministër të kryeministrit Rishi Sunak që të tërhiqet nga pushteti.
Humbja e ministrit të tretë për shkak të sjelljeve personale për gjashtë muaj do t'i dëmtojë përpjekjet e Sunakut për ta ngjallur frymën e pushtetit të Partisë Konservatore dhe është turmërpim i konsiderueshëm, pasi ai erdhi në krye të qeverisë në tetor duke premtuar qeveri të integritetit, raporton agjencia "Reuters".
Raab-i dha dorëheqje përmes një letre dërguar kryeministrit para se raporti të bëhej publik. Largimi i tij përbën hap prapa për Sunakun vetëm dy javë para zgjedhjeve të këshillave lokalë në Angli, ku konservatorët pritet të shënojnë rezultat të dobët.
"Unë bëra thirrje për hetim dhe u zotova për dorëheqje, nëse ky hetim do të gjente ndonjë rezultat të bullizimit çfarëdo qoftë ai. Besoj që është e rëndësishme që ta mbaj fjalën"- thuhet në letrën e dorëheqjes së zëvendëskryeministrit.
Në këtë post, ai nuk kishte pushtet formal, por e zëvendësonte kryeministrin, kur ky nuk ishte në Kuvend ose kur nuk ishte në gjendje për të punuar. Megjithatë, ai ishte aleat i ngushtë politik i Sunakut dhe kishte dhënë ndihmë për ta nisur fushatën e tij për kryeministër verën e kaluar.
Dorëheqja e tij do të japë pak rezultat për ta përmirësuar perceptimin e publikut për qeverinë e Sunakut pas mandatit me skandale të ish-kryeministrit Boris Johnson dhe politikave kaotike ekonomike, të cilat e rrëzuan ish-kryeministren Liz Truss pas më pak se dy muajve në pushtet.