Japonia thotë se dy luftanije ruse janë parë afër Tajvanit dhe Ishujve Okinawa - NACIONALE

Japonia thotë se dy luftanije ruse janë parë afër Tajvanit dhe Ishujve Okinawa

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha të premten vonë se dy luftanije ruse janë parë në ujërat afër Tajvanit dhe ishujve japoneze Okinawa gjatë katër ditëve të kaluara. Njoftim të ngjashëm më parë këtë javë dha edhe Tajvani.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të martën se kishte vërejtur dy fregata ruse afër bregdetit lindor të vendit dhe se kishte dërguar aeroplanë e anije për t’i vëzhguar ato, raporton agjencia “Reuters”.

Qeveria japoneze tha muajin e kaluar se aktiviteti i përsëritur ushtarak rus afër territorit japonez, përfshirë ushtrimet e përbashkëta me forcat kineze, paraqiste shqetësim serioz për sigurinë kombëtare të Japonisë.

Japonia dhe Tajvani janë bërë bashkë me ShBA-në dhe aleatët e tyre për t’i vendosur Rusisë sanksione të gjera pas fillimit të luftës së saj në Ukrainë.

Ministria japoneze tha se dy fregata të klasës “Steregushchy” fillimisht ishin parë 70 kilometra në jugperëndim të ishullit më perëndimor japonez, Yonaguni, në prefekturën Okinawa, afër Tajvanit, të martën në mëngjes.

Këto anije lundruan nëpër ujërat mes Yonagunit dhe Tajvanit, lëvizën drejt lindjes dhe së fundi u panë të premten në ujërat mes ishujve Miyako dhe Okinawa, thuhet në njoftim, ku shtohet se Japonia dislokoi dy anije për t’i vëzhguar fregatat ruse.

Agjencia ruse e lajmeve, “Interfax”, raportoi të martën se një detashment i anijeve të Flotës Ruse të Paqësorit kishte hyrë në pjesët jugore të Detit të Filipineve për të kryer detyra si pjesë e një kalimi të gjerë detar.

Lajme të ngjashme