Japonia përgatitet që ta rrëzojë satelitin e Koresë Veriore, nëse ai bie në territor japonez
Ministri i Mbrojtjes i Japonisë, Yasukazu Hamada, të shtunën e urdhëroi ushtrinë e vendit të tij që të rrëzojë një satelit spiun të Koresë Veriore, nëse ky objekt bie brenda territorit japonez.
Hamada i urdhëroi Forcat e Vetëmbrojtjes që t'i bëjnë përgatitjet e nevojshme, pasi ai mund të japë urdhër për shkatërrimin e raketave balistike, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes, raporton agjencia "Reuters".
Në mesin e përgatitjeve përfshihet përcaktimi i dispozitave për dislokimin e trupave në prefekturën jugore, Okinawa, për ta zvogëluar dëmin, nëse bie një raketë balistike, thuhet më tej në deklaratë.
Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka thënë se duhet të vazhdojnë përgatitjet për lëshimin e planifikuar të satelitit të parë spiun të vendit të tij për t'iu kundërvënë kërcënimeve të perceptuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore, raportuan të mërkurën mediet shtetërore.
