Japonia akuzon një ushtar amerikan për rrëmbim e përdhunim të një të miture - NACIONALE

Japonia akuzon një ushtar amerikan për rrëmbim e përdhunim të një të miture

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ushtar amerikan është akuzuar për rrëmbim dhe përdhunim të një vajze të mitur në Okinawa, zinxhir ishujsh japonezë ku ndodhet baza më e madhe ushtarake e ShBA-së në rajon.

Ky rast pritet ta nxisë kundërshtimin e vjetër të banorëve lokalë kundër pranisë ushtarake amerikane. Në ata ishuj ndodhen më shumë se gjysma e 54 mijë ushtarëve amerikanë që shërbejnë në Japoni, raporton televizioni BBC.

Zemërimi është nxitur edhe nga rastet e sulmeve seksuale – njëri nga më të njohurit ishte më 1995, kur një vajzë 12-vjeçare ishte përdhunuar nga tre pjesëtarë të personelit amerikan, duke nxitur protesta që kishin zgjatur me muaj.

Rasti i fundit gjithashtu përfshin një të mitur, që është nën moshën 16-vjeçare, sipas ligjeve të Japonisë për aftësinë për të dhënë pëlqim për marrëdhënie intime.

Ushtari 25-vjeçar i Forcës Ajrore dyshohet se e kishte sulmuar vajzën më 24 dhjetor dhe ai u identifikua përmes pamjeve nga kamerat e sigurisë, pasi familja e vajzës e kishte raportuar atë, thanë mediat lokale.

Ndaj tij ishin ngritur akuza në fund të marsit dhe ka qenë duke u mbajtur në ndalim nga autoritetet japoneze nga ajo kohë, tha të martën zëdhënësi qeveritar, Yoshimasa Hayashi.

“Ne do të vazhdojmë që të kërkojmë nga pala amerikane që të parandalojë incidente të tilla në secilën mundësi” – tha Hayashi, duke shtuar se zyrtarët amerikanë po bashkëpunonin plotësisht me hetuesit japonezë.

Ai gjithashtu tha se Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë ka paraqitur një ankesë tek ambasadori amerikan në Tokio, Rahm Emmanuel. Zëdhënësi njoftoi se seanca e parë gjyqësore për këtë rast është caktuar për datën 12 korrik.

Lajme të ngjashme