James Webb i NASA-s sjell pamje magjike nga formimi i yjeve
Teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s, u ka dhënë astronomëve një pamje të paparë të krijimit të yjeve dhe galaktikave.
Imazhet e reja të publikuara tregojnë strukturën e ndërlikuar të galaktikave të mëdha, por përveçse bëhet fjalë për imazhe spektakolare, shkencëtarët kanë thënë se ato mund të ndihmojnë të kuptohet se si formohen yjet e rinj dhe si ndikojnë tek galaktikat ku lindin.
Shkencëtarët kanë përdorur tashmë të dhënat e reja për 21 dokumente kërkimore që hedhin dritë mbi proceset e universit tonë, duke mbuluar gjithçka nga fillimet e yjeve deri te galaktikat gjithëpërfshirëse.
Sipas The Independent, puna është duke u kryer nga Physics at High Angular in Nearby Galaxies (PHANGS), ku përfshihen mbi 100 studiues nga e gjithë bota, të cilët janë duke përdorur Webb si pjesë të një studimi të 19 galaktikave.

Deri më tani, astronomët kanë qenë në gjendje të vëzhgojnë pesë nga galaktikat e njohura si M74, NGC 7496, IC 5332, NGC 1365 dhe NGC 1433.
"Qartësia me të cilën ne po shohim strukturën e mirë sigurisht që na kapi në befasi," - ka thënë një anëtar i ekipit David Thilker nga Universitetit Johns Hopkins në Baltimore, Maryland.
"Ne po shohim drejtpërdrejt se si energjia nga formimi i yjeve të rinj ndikon rreth tyre, dhe është thjesht e jashtëzakonshme," - është shprehur një anëtar tjetër nga ekipi.
Detajet e hollësishme të teleskopit hapësinor James Webb, tregojnë se zonat që më parë ishin të errëta tani janë ndriçuar dhe shkencëtarët mund të studiojnë rajone që dikur ishin të padukshme.
