Izraelit i vritet ushtari i parë në Rafah – një rreshter
Një ushtar izraelit u vra gjatë luftimeve në jug të Rripit të Gazës të martën, njoftoi ushtria të mërkurën në mëngjes. Ky është rasti i parë fatal për forcat izraelite gjatë operacionit në Rafah.
Ushtari i vrarë u identifikua si Rreshter Ira Yair Gispan, 19 vjeç, nga Petah Tikva. Ai ishte pjesëtar i Batalionit të 75-të të Brigadës së 7-të të Blinduar, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Vdekja e tij e çoi në 273 numrin e përgjithshëm të ushtarëve izraelitë që janë vrarë nga fillimi i ofensivës tokësore në Gaza.
Ushtria izraelite filloi që të dërgonte trupa në Rafah javën e kaluar në atë që e përshkroi si operacion “preciz”. Ushtarët tash për tash po mbajnë nën kontroll një zonë relativisht të vogël në juglindje të qytetit.
Të mërkurën, ushtria izraelite tha se gjatë operacioneve në pjesën lindore të Rafahut, trupat e Brigadës “Givati” bastisën një kamp trajnimi të Hamasit.
Ushtarët vranë disa të armatosur në bazë, kapën armë dhe lokalizuan automjete mashtruese të ushtrisë izraelite që përdoreshin nga grupi për trajnime, tha ushtria izraelite.
Gati 450 mijë nga rreth një milion palestinezë që ishin duke u strehuar në Rafah janë evakuuar ditëve të fundit, pasi ushtria izraelite i ka zgjeruar operacionet në qytetin më jugor të Gazës.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë se katër nga gjashtë batalionet e mbetura të Hamasit ndodhen në Rafah, bashkë me udhëheqësit e grupit dhe ndoshta edhe shumë pengje. Megjithatë, Izraeli është ballafaquar me presion nga ShBA-ja dhe një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar që të mos nisë ofensivë në këtë qytet.