Izraelit i vriten edhe katër ushtarë në Rafah të Gazës
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan të mërkurën për vdekjen e katër ushtarëve izraelitë dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë luftimeve në Rripin e Gazës një ditë më parë.
Siç raporton gazeta "The Times of Israel", ushtarët e vrarë u identifikuan si:
Kapiten Daniel Mimon Toaff, 23 vjeç, nënkomandant kompanie në Batalionin Shaked të Brigadës Givati, nga Moresheti;
Rreshtere Agam Naim, 20 vjeç, mjeke emergjente në Batalionin e 52-të të Brigadës së 401-të të Blinduar, nga Mishmaroti;
Rreshter Amit Bakri, 21 vjeç, nga Batalioni Shaked i Brigadës Givati, nga Yoshivia; dhe
Rreshter Dotan Shimon, 21 vjeç, nga Batalioni Shaked i Brigadës Givati, nga Elazari.
Vdekja e këtyre katër ushtarëve gjatë ofensivës tokësore kundër Hamasit në Gaza e çon në 348 numrin e përgjithshëm të trupave të rëna izraelite.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, katër ushtarët u vranë pasi kishin hyrë në një ndërtesë të minuar në lagjen Tel Sultan të qytetit Rafah. Hollësi të mëtejme ishin duke u hetuar nga ushtria.
Në incidentin e njëjtë, një oficer dhe dy ushtarë të Batalionit Shaked u plagosën seriozisht, ndërsa dy ushtarë të tjerë pësuan lëndime mesatare, njoftoi ushtria.
Sipas zyrtarëve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit, operativët e Hamasit minuan një numër të madh të shtëpive në Rafah dhe kanë pritur në tunele që trupat izraelite të arrinin.