Izraeli zotohet për hakmarrje pas sulmit masiv raketor nga Irani - NACIONALE

Izraeli zotohet për hakmarrje pas sulmit masiv raketor nga Irani

1 javë më parë

nga NACIONALE

Izraeli është zotuar për hakmarrje, pasi Irani hodhi mbi 180 raketa balistike në caqe të ndryshme drejt territorit izraelit në një intensifikim dramatic të një konflikti që dukej se po dilte nga kontrolli.

"Irani bëri një gabim të madh sonte dhe do të paguajë për të. Regjimi në Iran nuk e kupton vendosmërinë tonë për ta mbrojtur veten dhe vendosmërinë tonë për t’u hakmarrë kundër armiqve tanë... Do ta kuptojnë" – tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, raporton gazeta “The Guardian”.

Sulmi i pashembullt iranian me mbi 180 raketa balistike erdhi më pas se 24 orë pasi kryeministri izraelit kishte dhënë urdhër për pushtimin më të madh tokësor në jug të Libanit në një gjeneratë.

Reporterët e gazetës “The Guardian” në Jerusalem ishin dëshmitarë të dhjetëra raketave që fluturuan mbi kokat e tyre drejt qyteteve kryesore bregdetare izraelite në një sulm të madh pak pas orës 19:30, ndërsa motorët e raketave ishin qartazi të dukshëm nga toka.

Sirenat e alarmit për sulme ajrore u aktivizuan në mbarë Izraelin, edhe pse shumë raketa u penguan nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Raketa të tjera, ende të paprekura, dukej se vazhdonin drejt Izraelit bregdetar dhe qendror nën zhurmën e largët të shpërthimeve.

Në orët e hershme të së mërkurës, të paktën pesë sulme izraelite u kryen në periferinë jugore të Bejrutit, pasi ushtria izraelite lëshoi shumë urdhra evakuimi për ndërtesat e qytetit, duke thënë se po i vinte në shënjestër zonat e Hezbollahut.

Disa minuta para se Irani ta fillonte sulmin, të paktën dy persona të armatosur në qytetin bregdetar izraelit, Jaffa, kryen një sulm që la të vrarë gjashtë njerëz, ndërsa 10 të tjerë u plagosën, përfshirë një ushtar izraelit, duke nxitur shqetësim të mëtejmë se cikli në rritje i dhunës do të mund të çonte në sulme terrori brenda Izraelit.

Ushtria izraelite tha se nuk ishte e vetëdijshme për ndonjë të lënduar nga sulmet me raketa, por autoriteti palestinez i mbrojtjes civile në Bregun e pushtuar Perëndimor tha se një burrë u vra afër qytetit Jericho dhe mbetjet e raketave kishin shkaktuar dëme e nxitur zjarre në zonë.

Irani tha se kishte nisur raketa drejt tri bazave ushtarake izraelite si hakmarrje për një varg sulmesh të Izraelit në Liban kundër Hezbollahut, që i kanë shkatërruar pjesët periferike jugore të Bejrutit, kryeqytet i Libanit, si dhe fshatrat në jug të vendit.

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i çmoi sulmet si “kundërpërgjigje vendimtare ndaj agresionit të regjimit zionist”. “Le ta dijë Netanyahu se Iranin nuk është ndërluftues, por qëndron në mënyrë të vendosur kundër çfarëdo rreziku... Mos hyni në një konflikt me Iranin” – shtoi ai.

Zyrtarë të lartë iranianë i thanë agjencisë “Reuters” se urdhri për hedhjen e raketave drejt Izraelit u dha nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Të martën vonë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se veprimet e vendit të tij “u përmbyllën, përpos nëse regjimi izraelit vendos që të nxisë hakmarrje të mëtejme”. Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin X, ai shtoi: “Mundësuesit e Izraelit tani kanë përgjegjësi të shtuar për t’i frenuar luftënxitësit në Tel Aviv në vend se të përfshihen në marrëzinë e tyre.”

Udhëheqës të ndryshëm botërorë bënë thirrje për përmbajtje. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e dënoi atë që e quajti “eskalim pas eskalimi” në rajon. “Kjo duhet të ndalet. Absolutisht na nevojitet një armëpushim” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme