Izraeli zbythet pas letrës së ShBA-së, lejon 50 kamionë me ndihma në Gaza
Izraeli e lejoi hyrjen e 50 kamionëve me ndihma humanitare në veri të Rripit të Gazës të mërkurën, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan se i kishin dërguar një letër paralajmëruese se furnizimi i vazhdueshëm me armë nga Uashingtoni ishte në rrezik, nëse autoritetet izraelite nuk do të bënin hapa domethënës për ta adresuar krizën e përkeqësuar humanitare në enklavë brenda 30 ditëve.
Pesëdhjetë kamionë të ngarkuar me ushqim, ujë, furnizime mjekësore e pajisje për strehim, të ardhur nga Jordania, u zhvendosën nga pikëkalimi “Allenby” drejt Bregut Perëndimor e më pas në pjesën veriore të Rripit të Gazës përmes pikëkalimit të Erezit Perëndimor, thuhet në një deklaratë të organit ushtarak izraelit, COGAT, që e mbikëqyr shpërndarjen e ndihmave në enklavën bregdetare.
COGAT-i tha se Izraeli “do të vazhdojë që ta lehtësojë hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
ℹ️UPDATE:
— COGAT (@cogatonline) October 16, 2024
50 trucks carrying humanitarian aid - including food, water, medical supplies, and shelter equipment provided by Jordan - were transferred today (Wednesday) to northern Gaza through the Allenby Bridge Crossing and the Erez West Crossing as part of our commitment to… pic.twitter.com/pFEtlLG2Mr
Izraeli lejoi 30 kamionë me ndihma që të arrinin në veri të Gazës të hënën pas gati dy javëve, gjatë të cilave grupet humanitare kanë thënë se tërë asistenca ishte bllokuar. Kjo ndodhi në kohën e njëjtë me nisjen e një operacioni të ushtrisë izraelite me qëllim të parandalimit të ringjalljes së Hamasit në veri të Gazës.
Ushtria lëshoi urdhra të gjerë evakuimi për dhjetëra mijëra civilë para se ta niste operacionin, por shumë prej tyre refuzuan që t’i respektonin urdhrat. Disa kanë thënë se nuk kishin mundësi, disa të tjerë pretenduan se trupat izraelite kanë vënë në shënjestër ata që po iknin nga zona, ndërsa një pjesë tjetër i përmend kushtet e rënda në zonën humanitare në jug të Gazës.
Kushtet e rënda në veri të Gazës duket se kanë qenë nxitëse për sekretarin e Shtetit dhe për sekretarin e Mbrojtjes të ShBA-së, Antony Blinken e Lloyd Austin, për t’u dërguar një letër ministrit të Punëve Strategjike dhe ministrit të Mbrojtjes të Izraelit, Ron Dermer e Yoav Gallant, duke i paralajmëruar se Izraeli do të ishte në shkelje të një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti amerikan, Joe Biden, nëse nuk ndërmerren masa domethënëse për ta zbutur situatën humanitare në Gaza brenda një muaji.
Në urdhrin ekzekutiv të muajit shkurt kërkohet që administrata amerikane të pranojë garanci me shkrim nga marrësit e asistencës së sigurisë se ata nuk do ta kufizojnë në mënyrë arbitrare shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Në letrën e tyre, Blinkeni e Austini e theksuan faktin se në shtator u shënua sasia më e vogël e ndihmave që kanë hyrë në Gaza që nga fillimi i luftës, “izolimin” izraelit të veriut të Gazës dhe ndërprerjen pothuajse të plotë të dërgesave të ndihmave nga Jordania./Nacionale