Izraeli vret me dron dy të rritur e tre fëmijë në jug të Libanit - NACIONALE

Izraeli vret me dron dy të rritur e tre fëmijë në jug të Libanit

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Një sulm izraelit me dron la të vrarë të dielën pesë njerëz, përfshirë tre fëmijë, në qytezën jugore libaneze, Bint Jbeil, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit.

Izraeli shpesh i ka vënë në shënjestër ato që i quan pozicione të Hezbollahut në jug të Libanit pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara mes Izraelit e Libanit, i cili hyri në fuqi në nëntorin e vitit të kaluar pas më shumë se një viti konflikt, i nxitur nga lufta në Gaza, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve tha se nga sulmi u goditën një motoçikletë dhe një automjet. Përpos të vrarëve, dy persona të tjerë u lënduan.

Kryetari i Kuvendit të Libanit, Nabih Berri, tha në një deklaratë se një baba dhe tre fëmijët e tij ishin në mesin e të vrarëve, ndërsa nëna pësoi lëndime. Sipas Berrit, ata kishin shtetësi amerikane.

“Përderisa situata është e ndryshueshme, deri më tani, shenjat janë se pesë të vrarët nuk ishin shtetas amerikanë. Në të vërtetë, njëri kishte kërkesë të pashfrytëzuar të vizës për imigrantë në të kaluarën” – tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Ushtria izraelite tha se vrau një anëtar të Hezbollahut në sulm, por se “disa civilë të papërfshirë u vranë”.

“Forcave të Mbrojtjes të Izraelit u vjen keq për çfarëdo dëmi ndaj individëve të papërfshirë dhe operojmë për ta minimizuar dëmin sa më shumë që është e mundshme. Incidenti është duke u analizuar” – tha ushtria izraelite në një deklaratë.

Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, në rrjetin X sulmin e përshkroi si “krim të hapur kundër civilëve dhe porosi frikësimi drejtuar popullit tonë që po kthehet në fshatrat e veta në jug”.

Libani është nën trysninë e Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe rivalëve të brendshëm të Hezbollahut që ta çarmatos grupin e mbështetur nga Irani.

Hezbollahu ka thënë se do të ishte hap i gabuar serioz madje vetëm diskutimi i çarmatosjes përderisa Izraeli po i vazhdon sulmet ajrore ndaj Libanit dhe pushtimin e territoreve në jug të këtij vendi./Nacionale

Lajme të ngjashme