Izraeli vazhdon bombardimet në Gaza e Liban, Netanyahu mbledh kabinetin e luftës
Edhe mëngjesi i së hënës e gjeti Gazën të bombarduar me sulme ajrore nga Izraeli, ndërkohë që është raportuar se vendi ka goditur gjatë natës edhe Libanin jugor. E në mës të këtyre bombardimeve është bërë e ditur se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thirrur kabinetin e tij për të bërë një vlerësim rreth situatës.
Sipas mediave palestineze sulmet e Izraelit janë përqendruar në qendër dhe në veri të Rripit të Gazës, ndërkohë që është raportuar për viktima në kampet e refugjatëve.
Reuters ka raportuar se forcat izraelite kanë bastisur kampetdhe kanë arrestuar shumë persona ndërkohë që ka pasur përleshje.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza që nga nisja e bombardimeve të Izraelit, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor kanë humbur jetën të paktën 4,600 persona, ndërkohë në Izrael dihet për rreth 1,400 viktima dhe 212 pengje.
Izraeli ka grumbulluar tanke dhe trupa pranë kufirit të rrethuar rreth Gazës për një pushtim tokësor të planifikuar që synon të asgjësojë Hamasin.
E frika për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme është rritur akoma gjatë fundjavës me Uashingtonin që ka paralajmëruar për një rrezik të konsiderueshëm për interesat e SHBA-së si dhe ka njoftuar për një vendosje të re të mbrojtjes ajrore të avancuar.
