Izraeli thotë se ShBA-ja ia ka miratuar shitjen 3.5-miliardëshe të sistemit kundërajror “Arrow-3” në Gjermani
Shtetet e Bashkuara të enjten e miratuan shitjen e sistemit izraelit të mbrojtjes ajrore, “Arroë-3”, në Gjermani, duke e hapur rrugën për dërgimin e tij në shtetin evropian më 2025 dhe dislokimin për gjendje të plotë operacionale nga viti 2030, thanë zyrtarët izraelitë.
Shtetet e Bashkuara janë partnere në projektin “Arrow”, i cili është zhvilluar në mënyrë të përbashkët nga Organizata e Izraelit për Mbrojtje Raketore dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Mbrojtje Raketore, raporton agjencia “Reuters”.
Marrëveshja me Gjermaninë, që do të ishte shitja më e madhe e Izraelit në fushën e mbrojtjes, vjen pas armatosjes së vendeve evropiane si kundërpërgjigje ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.
Izraeli dhe Gjermania do të nënshkruajnë një Letër të Zotimit, me një pagesë fillestare prej 600 milionë dollarësh, për ta nisur punën në këtë projekt, tha Ministria e Mbrojtjes e Izraelit, duke shtuar se kontrata e plotë do të jetë gati për t’u nënshkruar në fund të këtij viti.
Duke përdorur një kokë që shkëputet për t’u përplasur me cakun, sistemi është i dizajnuar për të penguar raketa balistike jashtë atmosferës së Tokës, lartësi që siguron shpërndarje të sigurt të ndonjë koke jokonvencionale armësh.
Gjermania ka thënë se pret që forcat ajrore gjermane ta marrin sistemin “Arrow-3” në çerekun e fundit të vitit 2025.
Moshe Patel, drejtor i Organizatës së izraelit për Mbrojtje Raketore, u tha gazetarëve se ky do të jetë hapi i parë i madh, ndërsa një tjetër do të bëhet, kur sistemi “Arrow-3” i Gjermanisë ta arrijë aftësinë e plotë, rreth vitit 2030.
Kur u pyet nëse ky sistem i blerë nga Gjermania e ka për qëllim mbrojtjen e pjesës lindore të vendit – aludim për Rusinë – Pateli tha: “Ata po blejnë një arkitekturë të plotë që mund ta mbrojë secilën pjesë të Gjermanisë.”
